Mes dëmshpërblimit e mbijetesës, Laluci: Flamurtari s’menaxhohet, zgjidhni kategorinë jo kontratën! Me Morieron mundemi ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2026 | 23:44

Mes dëmshpërblimit e mbijetesës, Laluci: Flamurtari s’menaxhohet, zgjidhni kategorinë jo kontratën! Me Morieron mundemi ndaj Dinamos

Vangjel Laluci kritikon bordin e Flamurtarit që i dha një mundësi të dytë Françesko Morieros. Ish-drejtori i klubit mendon se Moriero duhet të largohet, pasi nuk e mban dot Flamurtarin në Superiore.

laluci

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Laluci shprehet i ashpër teksa thekson se mes dëmshpërblimit për shkarkimin e italianit dhe qëndrimit në elitë, klub duket të zgjedhë të fundit. Ai e thotë hapur se ky trajner nuk e karikon më skuadrën dhe paralajmëron se me Dinamon do të humbasë.

Laluci, Flamurtari nuk mundi të merrte as një barazim me Egnatian. Çfarë nuk shkon në skuadër?

Isha duke parë ndeshjet…edhe Partizanin. Pashë kthimin e lojës që bëri Partizani dhe thashë shyqyr, këto nuk morën pikë dhe ishte një shans shumë i mirë që të paktën ne të merrnim një pikë me Egnatian. Por pse jo nuk duhet të kishin frikë të merrnin edhe tri pikë, le të jetë edhe Egnatia. Problemi është që ne kemi mungesë fryme. Unë mendoj se është futur edhe një korrent pesimizmi. Edhe pse jemi në fund të klasifikimit duhet të dalim nga kjo situatë.

Lojtarët duhet që të kenë më shumë karakter. Në situata të tilla duhet të kuptosh se çfarë bëhet. Të them të drejtën nuk jam aspak i kënaqur nga loja. Flamurtari vazhdon që të jetë keq. Ato teoritë e ekuilibrit… Ekuilibrin e do Egnatia, nuk e do Flamurtari më. Ne duhet që të jemi më agresivë, pasi duhet që të kërkojnë tri pikët në çdo ndeshje tani. I marrim apo nuk i marrim, apo marrim një, është tjetër punë.

Të dielën luhet me Dinamon. Çfarë presim?

Ne shkojmë tek Dinamo dhe është një ndeshje shumë e vështirë. Por ti duhet të vesh të luash! Brenda në Tiranë duhet që të kërkosh tri pikët. Sado që mund të duket e paarritshme kjo. Çfarë po thotë ky mund të thotë dikush, po shikon ëndrra. Por ne aty kemi ardhur tani. Ekipi duhet të mblidhet, duhet të japë maksimumin.

Ke një koment për afrimet e merkatos së dimrit?

Përveç pjesës së keqe që ne humbëm në ndeshjen me Egnatian, afrimet më lanë shije të mirë. Bintsuka më pëlqeu. Edhe Peralta për aq sa u fut. Ai bëri edhe një goditje të mirë me kokë që më bëri përshtypje. Uroj që këta të na ndihmojnë në këto ndeshje që kanë mbetur. Megjithatë ne mbeteni tek nyja gordiane. Çfarë agresiviteti ke ti? Ty nuk duhet që të të zërë gjumi. Ti duhet që të jesh agresivë. Duhet të marrësh pikët dhe të luftosh gjithmonë për tri pikët. Ne vërtet kemi thënë në fillim që nuk ka kualitet ekipi me gabimet dhe blerjet. Por gjithmonë nuk ka pasur kualitet për të dalë kampion. Unë e kam thënë që me këtë kontingjent do të luftojmë për mbijetesën. Ne kontingjent për mbijetesë kemi por unë jam i mendimit që ekipi nuk është menaxhuar mirë.

Kush është problemi i kësaj skuadre?

Për mua problem mbetet trajneri. Ky trajner nuk na shpëton dot ne! Pse? Sepse ky nuk bën asnjë përpjekje nga ana teknike. Që ditën e parë që ai ka marrë Flamurtarin, po luan me një modul. Nuk ka asnjë ndryshim.

Bordi i dha një mundësi të fundit trajnerit Moriero. Pse mendoni ju se besohet tek ndryshimi apo kanë frikë nga dëmshpërblimi që mund të jetë i majmë?

Nëse është kjo e fundit ne duhet që të zgjedhim midis kategorisë dhe prishjes së kontratës… Po të isha unë do të zgjidhja prishjen e kontratës. Ky nuk na mban dot në Superiore. Pamë që u mblodh bordi i Flamurtarit me disa personalitete shumë të respektuara për qytetin, miq dhe shokët tanë dhe thanë që do t’i japim besim. Besim për çfarë? Nuk e kuptoj unë këtë! Besim që të fitojë me Dinamon? Ja po ta them unë sot dhe mbaje mend. Zero janë, nuk marrin asnjë pikë me Dinamon.

Ky ekip nuk të nxjerrë. Atëherë çfarë duhet të bëjmë? E para do heqësh këtë trajner. Le të mbajnë edhe Liçajn e Ribajn. Një lëvizje t’i do ta bësh. Ti mund të mos qëndrosh në kategori edhe duke mbajtur ata djem, por ndryshimin e ke të pashmangshëm për ta bërë. Është i vetmi mjet që ti ke në dorë.

Mendon se i karikon më lojtarët, trajneri Moriero?

Ky nuk i karrikon dot më. Ti duhet të bësh një lëvizje të vendosësh dikë tjetër. Ai duhet ta bëjë diçka…Një i ri, një frymë e re.

Ish-trajneri Memushi deklaroi se i druhet prapaskenave të kampionatit. Keni edhe ju këtë frikë?

Këta janë faktorë subjektivë nëse është vendosur. Por çfarë duhet të bëjmë ne? Ky trajner nuk ma mbush mendjen mua. Nuk kam asnjë gjë me Morieron. Por kaq javë që ka qenë te Flamurtari nuk ka krijuar dot frymë. Çfarë do të sjellë ai në këto ndeshje të mbetura? Ai nuk duhet të kenë një shans të dytë pas Dinamos.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL