Mbrojtësi titullar i kërkon kohë Dinamos, blutë vendosin të mos blejnë kartonin e mesfushorit
Dinamo ka nisur lëvizjet për sezonin e ri me objektivin për të ruajtur skuadrën dhe dhe për t’u paraqitur denjësisht në arenën europiane.

Pas fitimit të Kupës së Shqipërisë dhe sigurimit të një tjetër bilete për në Ligën e Konferencës, drejtuesit blu po punojnë në disa fronte njëkohësisht, ku synohen rinovimet e kontratave, zgjidhjen e situatave të paqarta brenda grupit dhe afrimin e elementëve të rinj që do të rrisin cilësinë e skuadrës së Ilir Dajës. Megjithatë, vera pritet të jetë mjaft intensive për Dinamon, pasi disa futbollistë janë ende në pritje të vendimeve përfundimtare.
RINOVIMET- Lajmet më pozitive për kampin blu vijnë nga bisedimet për vazhdimin e bashkëpunimit me disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Dejvi Bregu dhe Naser Aliji kanë gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit dhe pritet të vazhdojnë të jenë pjesë e projektit edhe për sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, Dinamo ka siguruar edhe qëndrimin e dy elementëve të tjerë me peshë në ekip, gjë të cilën e kishte arritur më parë me portieri Aldo Teqja dhe kapitenin Bruno Dita, që kanë arritur marrëveshje me klubin dhe pritet vetëm zyrtarizimi i kontratave të reja. Ruajtja e këtij bërthame konsiderohet një hap i rëndësishëm për stabilitetin e skuadrës para sfidave europiane.
DYSHIMET- Pavarësisht disa rinovimeve të rëndësishme, situata mbetet e hapur për një grup të madh lojtarësh. Futbollistë si Lorenco Vila, Jorgo Meksi, Eridon Qardaku dhe të tjerë vazhdojnë të presin vendimet e klubit, ndërsa negociatat nuk kanë prodhuar ende një marrëveshje konkrete. Në të njëjtën kohë, interesimi nga skuadra të tjera të Superiores ka shtuar pasigurinë. Teuta po ndjek nga afër disa emra të Dinamos, ndërsa Egnatia dhe Vllaznia kanë monitoruar situatën e lojtarëve që mund të mbeten të lirë në merkato. Kjo e bën edhe më urgjente për drejtuesit mbylljen e çështjeve kontraktuale para fillimit të fazës përgatitore.
LARGIMET- Në kampin dinamovit ka edhe futbollistë që duken më pranë largimit sesa qëndrimit. Andre Teikseira, Rustem Hoxha dhe Jorgo Meksi janë mes emrave që nuk kanë dhënë sinjale pozitive për rinovim, ndërsa situata e tyre mbetet e paqartë. Mbrojtësi portugez ka kërkuar pak më shumë kohë nga klubi dhe u ka garantuar se do të bisedojë për të vendosur për të ardhmen.
Një tjetër rast është ai i Ledio Beqjes. Dinamo nuk pritet të aktivizojë klauzolën e blerjes së kartonit të mesfushorit, pasi investimi konsiderohet i lartë në raport me problemet fizike që ka pasur lojtari gjatë sezonit. Nëse nuk ka ndryshime të minutës së fundit, ai do të rikthehet te klubi që zotëron kartonin e tij, e më pas mund të ketë një huazim tjetër te Teuta. Me shumë kontrata që përfundojnë në fund të qershorit, drejtuesit rrezikojnë të humbasin disa lojtarë me parametër zero, çka e bën këtë periudhë vendimtare për të ardhmen e skuadrës.
AFRIMET- Paralelisht me rinovimet, Dinamo po studion tregun për të për forcuar grupin. Stafi teknik ka evidentuar nevojën për më shumë alternativa në të gjitha repartet, sidomos pas problemeve me dëmtimet dhe pezullimet gjatë sezonit të fundit. Vëmendja e drejtuesve është përqendruar kryesisht te futbolli i Kosovës dhe ai i Maqedonisë së Veriut, kampionate nga të cilat Dinamo ka përfituar lojtarë me rendiment të lartë edhe në të kaluarën. Klubi po zhvillon kontakte me disa futbollistë cilësorë, ndërsa emrat mbahen ende të rezervuar.
Drejtuesit e klubit kanë arritur akordin me Almir Ajzerajn. Sulmuesi i krahut ka mbyllur aventurën me Dritën, i është bashkuar Dinamos në stërvitje ditën e djeshme. Përveç afrimeve nga jashtë, në planet e skuadrës është edhe rikthimi i Hekuran Berishës pas periudhës së huazimit. Dinamo synon të ndërtojë një skuadër më të thellë dhe më konkurruese, në mënyrë që të përballojë me sukses ngarkesën e kampionatit dhe ndeshjet europiane që e presin në muajt e ardhshëm.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













