Mbledhja e Flamurtarit, shpërthen Moriero: Koha e justifikimeve mbaroi, tani veprat
Drejtuesit vendosin kusht të prerë, vetëm tri pikë me Vorën! Atmosfera në kampin kuqezi është e ndezur. Barazimi me Tiranën ka lënë shije të hidhur dhe ka ndezur sinjalet e alarmit në klubin vlonjat.
Përballë Vorës në Vlorë, drejtuesit e Flamurtarit nuk pranojnë asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Sipas burimeve pranë klubit, presidenti Sinan Idrizi, përmes sekretarit të përgjithshëm, Alfred Ferko, ka përcjellë mesazhin e qartë dhe të padiskutueshëm: “Vetëm tri pikë. Çdo rezultat tjetër do të konsiderohet dështim”. Ky kusht dhe mungesa e rezultateve kanë rritur presionin te skuadra, por drejtuesit besojnë se ky është momenti i duhur për të kërkuar reagimin që prej javësh mungon në kampionat.
TRAJNERI MORIERO – Në mbledhjen më të fundit me futbollistët ka theksuar se koha e justifikimeve ka mbaruar dhe se skuadra tani duhet të hyjnë në fushë për fitore. Tekniku Françesko Moriero ka kërkuar impenjim maksimal dhe ka paralajmëruar se vetëm mentaliteti fitues mund të nxjerrë Flamurtarin nga situata aktuale.
“Kampionati është i gjatë dhe ka shumë ndeshje përpara, por kjo s’do të thotë se kemi kohë për gabime. Jemi duke u rritur. Me Tiranën na mungoi qetësia në momente vendimtare. Ne duhet të përmirësohemi dhe të marrim pikët që na duhen. Kërkoj që të hyjmë në fushë vetëm për fitore. Mentaliteti ynë duhet të jetë agresiv dhe fitues. Nuk ka asnjë arsye për të mos besuar te tre pikët. Jam i lumtur që shoh ndryshim në skuadër, por tani duhet të materializojmë gjithçka me rezultate. Kërkoj maksimumin nga të gjithë”, mësohet se u ka thënë italiani të tijve.
POLLOZHANI – Çështja më e nxehtë jashtë fushe mbetet ajo e drejtorit sportiv Artin Pollozhani. Gjatë ndeshjes me Tiranën, një pjesë e tifozëve kërkuan publikisht largimin e tij, duke e fajësuar për një merkato të dobët dhe mosarritjen e objektivave. Megjithatë, drejtuesit e klubit duket se po i japin edhe pak kohë, ndoshta deri pas ndeshjes me Vorën, duke qenë se ai është arkitekti i merkatos aktuale dhe ka përgjegjësi direkte për ecurinë e skuadrës. Pollozhani është parë dje në ambientet e stadiumit. Në rast dështimi edhe në ndeshjen e radhës, skenari i ndryshimit të drejtorit sportiv bëhet shumë i mundshëm. Sipas burimeve pranë klubit, emri më i afërt për të marrë këtë post është Arbër Abilaliaj, ish-sulmuesi vlonjat.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













