Mbetet dilema “Qaka”, rikthehet sulmuesi! Ja si pritet të rreshtohet Partizani ndaj Egnatias
Partizani zbret sot në fushë në orën 16:30 për t’u përballur me Egnatian, sfidë kjo e vlefshme për javën e 26-të të Kategorisë Superiore. Sa i takon formacionit, trajneri Oltijon Kërnaja do të vuajë mungesën e Redon Ismailit, i pezulluar pasi ka plotësuar numrin e katërt të kartonëve të verdhë, ndërsa në dyshim mbetet edhe Kamer Qaka.

Mesfushori mungoi ndaj Flamurtarit, teksa së fundmi iu bashkua skuadrës në stërvitje, megjithatë stafi nuk kërkon ta rrezikojë, duke pasur parasysh kalendarin e ngjeshur për ditët në vijim, ku Partizani, pas ndeshjes me Egnatian, luan në mesjavë për Kupën me Elbasanin dhe më pas fundjavën e ardhshme me Dinamon.
Të gatshëm në repartin e mesfushës janë Dumbia dhe Mehmeti, të cilët pritet të luftojnë për një vend krah Hjumanit dhe Muratajt. Sa i takon pjesës tjetër, në ndryshim nga takimi me Flamurtarin, pritet që në formacion të rikthehen mbrojtësi i djathtë Kola dhe sulmuesi Skuka.

PANORAMASPORT.AL













