Lufta për vendin në “Final 4”, Drejtori i Garave në FSHF befason Dinamon dhe Partizanin:  Ja si do funksionojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2026 | 22:20

Lufta për vendin në “Final 4”, Drejtori i Garave në FSHF befason Dinamon dhe Partizanin:  Ja si do funksionojë

Lufta për “Final 4” dhe mbijetesën është ajo që po ndez kampionatin në këto javë të fundit dhe është ajo që po ndiqet më me interes kur mbeten edhe 5 javë për t;u luajtur deri në mbyllje të sezonit të rregullt.

superiore

Për situatën e Superiores është prononcuar edhe Drejtori i Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, i cili ka shpjeguar etapat në vijim të kampionatit, si sa i përket “Final Four”, ashtu edhe mbijetesës. Ndryshe nga sa mendohet në opinionin sportiv, ai nuk e cilëson si një luftë dyshe mes Dinamos e Partizanit atë për vendin e katërt në minikampionatin për titullin, duke përfshirë aty edhe Teutën që është 6 pikë larg tyre.

“Kanë mbetur edhe 5 javë deri në përfundimin e 36-të javëve të kampionatit. Vllaznia është ekipi i parë që ka siguruar “Final Four”. Gara është shumë e fortë, pasi janë edhe 5 ekipe që konkurrojnë për të zënë 3 vende për në “Final Four”. Kampionati nuk është vetëm për “Final Four”, pasi edhe në fundin e tabelës ka një garë sportive shumë të fortë. Vendi i 9-të dhe i 10-të bien direkt nga kategoria, ndërsa skuadra që renditet në vendin e tetë do të luajë një ndeshje play-off me një nga skuadrat që renditet nga vendi i tretë te i gjashti në Kategorinë e Parë”, tha Sulejmani i cili më pas konfirmoi se si do të veprohej me ndarjen financiare të premiove për klubet e elitës.

“Ky është viti i tretë i “Final Four”. Ndryshe nga dy sezonet e mëparshme, këtë vit kemi një ndryshim të rregullit, ku pas 36 javëve, 4 ekipet e renditura të para do të marrin pjesë në “Final Four” me pikët e përgjysmuara, duke marrë edhe vlerën më të vogël. Datat janë të përcaktuara. Ndeshja e parë do të luhet më 16 maj sfida mes vendit të parë dhe vendit të katërt, një ditë më vonë vendi i dytë dhe vendi i tretë. Po ashtu, edhe katër ndeshjet e tjera do të zhvillohen në datat 23-24 dhe 29 e 31 maj. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Air Albania.

Katër ekipet e para pas përfundimit të 36-të javëve do të përfitojnë shpërblime financiare. Vendi i parë do të përfitojë 10 milionë lekë të rinj, vendi i dytë 7 milionë lekë të rinj, vendi i tretë 5 milionë lekë të rinj dhe vendi i katërt 2 milionë lekë të rinj. Gjithashtu, fituesi i kampionatit pra i “Final Four” do të përfitojë 10 milionë lekë të rinj. Pas përfundimit të “Final Four”, të 10 ekipet do të marrin përsëri të ardhura, që do të vijnë nga biletat, sponsorët dhe reklamat, të cilat do të shpërndahen nga vendi i pestë deri në vendin e dhjetë sipas renditjes, si dhe një përqindje më e madhe për ekipet që do të luajnë në “Final Four”, shpjegoi Sulejmani për FSHF.

PANORAMASPORT.AL