Lideri i sulmit të Vorës, Kasalla feston suksesin ndaj Egnatias: Me këtë trepikësh kemi shumë siguri për mbijetesën
Irgi Kasalla ishte protagonist absolut i fitores së Vorës ndaj Egnatias, pasi ishte ai i cili shënoi golat e suksesit 2-0 ndaj rrogozhinasve.

“E vërtetë, ishte një ndeshje shumë e mirë edhe nga Harizaj. Mendoj se po të mos ishin golat, padyshim e meritonte Harizaj të ishte lojtari i ndeshjes. Por është edhe për të gjithë çunat që bënë luftë në fushë dhe dhanë këtë rezultat.
Kjo ishte ndeshje shumë e rëndësishme për vazhdimësinë, duke qenë se kanë mbetur edhe tre ndeshje dhe diferenca ngushtohet e diferenca është shumë e rëndësishme. Me këtë trepikësh mendoj se kemi shumë siguri për të qëndruar në Superiore.
Të them të drejtën objektivi im ka qenë 10 gola, por duke parë si po shkojnë gjërat, çfarë të vijë, aq më mirë është.
Goli i parë? Ishte e punuar, duke parë që Egnatia kishte dy mungesa të rëndësishme siç janë Xhemajli e Sota që janë shumë të mirë me topin dhe menduam që të bëjmë presing lart. Për këto vendime është edhe goli.
Më kishte munguar se u bënë shumë ndeshje që nuk luaj në pozicionin tim, dhe më bëri të jap më shumë. Ai që kam qejf unë është në krahun e majtë, por ku mund të jap më shumë mendoj se është mesfusha”, tha Kasalla për RTSH pas duelit.
PANORAMASPORT.AL













