Lëvizje te Vora/ Ismaili kalon te Dinamo, ndërsa Prengaj kthehet nga huazimi te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2025 | 12:32

Lëvizje te Vora/ Ismaili kalon te Dinamo, ndërsa Prengaj kthehet nga huazimi te Tirana

Te Vora kanë nisur lëvizjet e para, që kanë lidhje edhe me riformatimin e skuadrës për sezonin e ri futbollistik, ku për herë të parë vorakët do të militojnë në Kategorinë Superiore. Vora këtë sezon për herë të parë do të konkurrojë mes skuadrave më të mira të futbollit shqiptar, ndaj pritet që edhe projekti të jetë për një vazhdimësi dhe jo për të qenë kalimtar në Kategorinë Superiore.

prengaj

Tashmë është bërë i kryer edhe largimi i parë te Vora dhe ai do të jetë Ysni Ismaili.

Ysni Ismaili – Mbrojtësi i djathtë i lindur në Bitola (Manastiri) dhe me dy shtetësi, maqedonase dhe shqiptare, u bë pjesë e Vorës që më 1 korrik 2023, pas eksperiencës me Karaormanin e Strugës. Ky është edhe largimi i parë që regjistrohet te Vora gjatë sezonit të ri 2025-2026. Ismaili ka qenë pjesë e kësaj skuadre në dy sezonet e fundit (2023-2024 dhe 2024-2025), duke u aktivizuar me Vorën gjithsej në 53 ndeshje ose 4177 minuta. Ai ka shënuar edhe dy gola, nga një për çdo sezon. Gjatë edicionit 2023-2024, ai u aktivizua në 27 ndeshje me 1850 minuta, duke shënuar një gol. Ndërsa gjatë sezonit 2024-2025 u aktivizua në 26 ndeshje me një minutazh më të madh, 2327 minuta. Edhe gjatë këtij kampionati, ai arriti të shënonte një gol, pikërisht kundër Valbonës gjatë fazës së parë. Që nga sezoni 2025-2026 deri në verën e 2028-ës, ish-mbrojtësi i Kombëtares U-21 do të jetë pjesë e Dinamos, me të cilën ka nënshkruar një kontratë trevjeçare.

Fatmir Prengaj- Lëvizje tjetër te Vora mund të konsiderohet edhe rikthimi pas huazimit te Tirana të sulmuesit Fatmir Prengaj. Ai u bë pjesë e ekipit më 18 janar 2023, kur erdhi për herë të parë nga klubi i Laçit dhe kontrata e tij ende nuk ka skaduar. 24-vjeçari nga Mamurrasi, gjatë sezonit të shkuar, kaloi përkohësisht te Tirana në formë huazimi, për të pasur një minutazh edhe më të madh me skuadrat elitare, që do t’i shërbente për një eksperiencë më të madhe, duke hyrë kështu në sezonin e tretë të tij me skuadrat superiore (Laçi, Tirana e tashmë Vora). Prengaj ka luajtur dy herë i huazuar nga klubi i Vorës, fillimisht te Laçi gjatë sezonit 2022-2023 për gjysmë kampionati dhe gjatë sezonit 2024-2025 te Tirana për një sezon. Sulmuesi mendohet të jetë pjesë e Vorës për sezonin e ri 2025-2026, me të cilën ka ende kontratë.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL