La grumbullimin me Shpresat, zbardhet gjendja e Gjergji Kotes
Gjergji Kote ka lënë dje grumbullimin e Kombëtares U-21 për shkak të një shqetësimi muskulor. Ai u zëvendësua në nisjen e pjesës së dytë kundër Teutës dhe pas ndeshjes trajneri Abilaliaj u shpreh se e nxori për shkak të një shqetësimi.

Pavarësisht kësaj, Kote u paraqit në grumbullimin me Kombëtaren dhe vetëm pas këqyrjes së mjekëve të përfaqësueses Shpresa u vërejt se i riu nuk është në gjendje të jetë i pranishëm në dy ndeshjet e radhës. Burime për gazetën bëjnë me dije se Kote ka vetëm një lodhje fizike, që ka ardhur prej aktivizimit me të kuqtë pas një pauze prej gati tre muajsh.
Ai pritet të pushojë rreth një javë dhe më pas do t’i bashkohet ekipit në stërvitje. Sipas planeve, Kote nuk pritet ta rrezikojë ndeshjen me Dinamon, por gjithçka do të ndiqet me kujdes nga ana e stafit të të kuqve. Sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, pritet të kthehet sot në stërvitje.
Një tjetër lojtar me probleme fizike është Gudjufi, për të cilin do të duhet të pritet nëse do të jetë gati kundër Dinamos. I riu mungoi në ndeshjen e shkuar kundër Teutës, e mbyllur në barazim pa gola.
PANORAMASPORT.AL













