“Ky mund të jetë viti i Shkodrës”, Nikaj: Vllaznia në formë, titulli vendoset në fund
Ish-trajneri i Vllaznisë, Samuel Nikaj është prononcuar së fundmi për “Panorama Sport”. Shkodrani është ndalur tek gjendja që po kalojnë kuqeblutë, duke i cilësuar si në “top” formë. Por, sipas tij ai po ashtu thekson se gara për titullin do jetë e “egër” deri në momentet e fundit të edicionit.

Teksa ka besimin gjithsesi se ky mund të jetë viti i duhur që Shkodra të rikthehet për të gëzuar. Ndërsa ndan një mendim edhe për ndeshjen e radhës me Teutën në kampionat, duke e komentuar si një duel me një shkallë të lartë vështirësie për kuqeblutë.
Nikaj, si duket Vllaznia me formën që po kalon aktualisht?
Vllaznia aktualisht më duket në top formë dhe është ekipi që po prodhon lojën më të mirë në Superiore. Kanë formë optimale dhe vetëbesimi ka arritur nivelin maksimal, prandaj edhe skuadra po shprehet kaq mirë në fushën e lojës. Shpresoj vetëm të vijojnë kështu, pse jo edhe ta rrisin akoma më shumë ritmin.
Janë tashmë kuqeblutë rivali që duhet mposhtur në Superiore?
Për mua janë 4 skuadra pretendente dhe ka shumë pak diferenca mes tyre. Kështu që Vllaznia është hap për hap me titullin kampion së bashku me skuadrat e tjera, prandaj duhet çdo herë përqendrim në çdo duel. Ku personalisht mendoj se titulli do jetë me “foto-finish” e do vendoset në javën e fundit, e patjetër shpresoj të jetë Vllaznia që të gëzojë në fund.
Çfarë duhet të bëjë skuadra të ruajë këtë ritëm?
Të jetë e qetë, pa presion dhe e përqendruar çdo herë e të vlerësojë çdo situatë. Kuqeblutë i kanë mundësitë të vijojnë në këtë ritëm, nga vetë resurset dhe futbollistët që kanë në përbërje. Po ashtu me një trajner mjaft të mirë e po ashtu me një tifozeri që i rri afër skuadrës.
Kush ka bërë diferencën?
Nuk e ndaj kurrë skuadrën në elementë të veçantë, pasi mendoj se gjithçka ecën mbarë, sepse ekipi funksionon në total. Kuqeblutë janë një skuadër tashmë e stabilizuar në mbrojtje e po ashtu e fortë në sulm. Ku gjithashtu është punuar mirë edhe me tranzicionet pozitive e ato negative në skuadër.
E besoni realisht që ky mund të jetë sezoni i titullit për Vllazninë?
Po, mendoj se ka ardhur momenti pas 25 vitesh që titulli të rikthehet në Shkodër. Mendoj se janë pjekur kushtet e duhura që Vllaznia të triumfojë e po ashtu Shkodra të rikthehet të gëzojë. Sepse ky qytet e kjo skuadër me të vërtetë e meriton.
Ndeshja e radhës në transfertë me Teutën, e vështirë?
Dueli me Teutën është me shkallë vështirësie të lartë sepse është skuadër e mirëorganizuar. Sidomos në fazën mbrojtëse, por kam besim te Martini që do të gjejë ndonjë zgjidhje për të marrë një tre pikësh të artë në Durrës këtë të diel.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













