“Kupa nuk është dështim”, Allmuça analizon në detaje “nëndetësen”: Dinamo ka investuar shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2026 | 23:36

“Kupa nuk është dështim”, Allmuça analizon në detaje “nëndetësen”: Dinamo ka investuar shumë

Dinamo ka arritur të rikthehet te fitoret më në fund, duke arritur të marrë 3 pikë kundër Vorës në kampionat dhe një kualifikim për në gjysmëfinalen e Kupës ndaj Tiranës.

IGLI ALLMUCA

Në një intervistë për “Panorama Sport, ish-trajneri i bluve, Igli Allmuça ka analizuar blutë e kryeqytetit dhe shprehet se ka një skuadër konkurrente për titullin, por kanë ndikuar vetëm mungesat. I pyetur në lidhje me Kupën, Allmuça e konsideron një objektiv pasi bëhet fjalë për trofe dhe shton se skuadra duhet të luftojë edhe për këtë objektiv.

Dinamo është aktualisht në vend të katërt dhe po përballet me rreziqe serioze. Si e vlerëson sezonin e skuadrës deri tani?

Po, ka pasur luhatje. Pavarësisht se them që mungesat ndikojnë në futboll, futbolli është edhe fat pasi momenti kur të mungon një lojtar kryesor normalisht ndikon në atë lojë që do të zhvillosh. Pastaj, duke pasur parasysh që edhe Partizani është afruar shumë, të gjitha këto ndikojnë dhe Dinamo nuk ka qenë aty ku duhet si shkak i mungesave. Dinamos normalisht nuk i mungon asgjë dhe nuk mund të transformohet plotësisht. Por kur ke mungesa, sigurisht që ndikojnë në lojë.

Duke qenë një nga personat që e njihni mirë Dinamon, mendon se janë vetëm mungesat ato që kanë ndikuar te kjo formë, apo mund të ketë edhe gjëra të tjera?

Unë them se historikisht, te Dinamo nuk ka pasur gjëra të jashtme që ju mund të mendoni. Dinamo ka qenë gjithmonë një klub model dhe asnjëherë nuk ka pasur probleme të tilla, madje edhe kur ka pasur vështirësi financiare, nuk ka pasur gjëra të cilat kanë ndikuar nga jashtë klubit. Gjithçka ka qenë nga ndikimi i asaj që ndodh brenda në fushë, domethënë dëmtimeve apo mungesave.

A është e rrezikuar Dinamo për zonën e “Final Four”-it?

Po, për atë vendin e katërt mendoj se janë tre ekipe: Dinamo, Partizani dhe Teuta që deri në fund do të luftojnë. Unë them që edhe Teuta është skuadër rivale për “Final Four”. Do të jetë edhe Kupa, pastaj do të mendohet kush dalin nga gjysmëfinalet e Kupës. Ka shumë gjëra që lidhen edhe me kupën. Unë mendoj që të tria skuadrat janë skuadra rivale dhe konkurrente për vendin e katërt.

A do ta konsideronit sezon të suksesshëm për Dinamon nëse do të arrinte të fitonte Kupën?

Po, patjetër që po. Pavarësisht se objektivi është titulli kampion. Janë disa skuadra që investojnë për titullin dhe nuk investon vetëm një skuadër. Në momentin që arrin të kapësh diçka, nuk mund të konsiderohet dështim. Dështim është në qoftë se nuk merr pjesë në Kupë dhe nuk ka as kualifikim për të marrë pjesë në Kupat e Europës. Atëherë është dështim. Pastaj ka objektiv maksimal dhe objektiv minimal. Objektivi maksimal është titulli kampion. Objektivi minimal është pjesëmarrja në kompeticionet europiane.

Fitimi i Kupës nuk është as maksimal, as minimal por është një e mesme. S’mund të konsiderohet minimal, sepse fitimi i Kupës është një trofe. Objektivi minimal për një skuadër që investon është të marrë pjesë në Kupën e Europës. Duke parë shumë skuadra që kanë investuar gjatë sezonit, shihet qartë ku investon secila. Janë disa që kanë investuar, jo vetëm për emër. Nuk është se ka investuar vetëm një skuadër edhe në këtë rast, dhe mos dalja kampion nuk konsiderohet dështim.

Si e ke parë faktin që Dinamon e shpëton thuajse gjithmonë Dejvi Bregu. Pse nuk shënojnë rregullisht të tjerët?

Shiko, Dinamo po shënon gola dhe e rëndësishme është që të shënohen, pa marrë parasysh se kush lojtar e ka gjetur golin. Në këtë rast, Dejvi Bregu është një nga lojtarët më të mirë që Dinamo ka, një lojtar që di të finalizojë para portës dhe ka më shumë kualitet. Pastaj, edhe të tjerët kanë shënuar, nuk po them se nuk kanë kualitet ata dhe e ka Bregu, por secili ka cilësi ndryshe nga tjetri. Nuk e shoh problem faktin që Bregu shënon shumë e të tjerët jo. Rëndësi kanë pikët.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL