Kupa në xhep dhe mendja te kampionati, Egnatia kërkon tri pikët
Egnatia mbylli me sukses misionin në Kupë, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale dhe duke mbajtur gjallë një tjetër objektiv të madh të sezonit. Skuadra nga Rrogozhina vazhdon të tregojë stabilitet në këtë kompeticion dhe tashmë synon një arritje historike: finalen e katërt radhazi.
Kualifikimi në këtë fazë konfirmon edhe një herë ambiciet e klubit, i cili prej disa sezonesh është shndërruar në një nga ekipet më të qëndrueshme në futbollin shqiptar. Ecuria në Kupë ka qenë një nga pikat më të forta të Egnatias dhe fakti që janë sërish në garë për trofeun tregon qartë vazhdimësinë e projektit sportiv. Megjithatë, pas festës së kualifikimit, në Rrogozhinë nuk ka shumë kohë për të qëndruar gjatë te suksesi. Vëmendja tashmë është zhvendosur plotësisht te kampionati, aty ku çdo ndeshje e mbetur merr peshë vendimtare.
SËRISH TEUTA – Rivali i radhës do të jetë sërish Teuta, që rikthehet në Rrogozhinë, por këtë herë për një përballje të kampionatit. Ndeshja e fundit mes dy skuadrave në Kupë tregoi qartë se përballjet mes tyre janë gjithmonë të forta dhe të luftuara deri në fund. Edhe pse Egnatia arriti të realizojë objektivin në Kupë, dueli i fundit tregoi se skuadra nuk do ta ketë aspak të lehtë edhe në kampionat. Teuta mbetet një kundërshtar i vështirë, që di të krijojë probleme dhe të mbajë ndeshjen të hapur deri në momentet e fundit. Pikërisht për këtë arsye, në kampin e Egnatias ka vetëdije të plotë se sfida e radhës kërkon përqendrim maksimal dhe një paraqitje edhe më të fortë.
DETYRIM PËR FITORE – Për Egnatian, kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë në rrugën drejt objektivave të sezonit. Skuadra është praktikisht e detyruar të fitojë, pasi çdo hap fals mund të ketë pasoja të mëdha në garën për titull. Mosmarrja e tri pikëve në këtë përballje do ta komplikonte ndjeshëm situatën në renditje. Nëse në anën tjetër kryesuesit nuk gabojnë, diferenca mund të zgjerohet dhe gara për titullin të bëhet edhe më e vështirë për ekipin nga Rrogozhina. Për këtë arsye, tri pikët ndaj Teutës shihen si një detyrim sportiv, por edhe si një hap i domosdoshëm për të mbajtur ritmin me ekipet e kreut. Në këtë fazë të sezonit, çdo ndeshje shoqërohet edhe me llogari.
Në Rrogozhinë janë me laps në dorë, duke analizuar çdo skenar të mundshëm dhe duke bërë llogaritë që të mos humbasin terren me kreun e renditjes. Egnatia e di se për të qëndruar në garë deri në fund duhet të ruajë ritmin e fitoreve dhe të mos lejojë hapa fals në ndeshjet që konsiderohen të fitueshme. Përballja me Teutën është pikërisht një nga ato ndeshje ku skuadra duhet të tregojë forcën dhe ambicien e saj. Pas suksesit në Kupë, objektivi është i qartë: të vazhdojë ecuria pozitive edhe në kampionat dhe të mbetet pjesë e garës për titull deri në javët e fundit të sezonit. Në Rrogozhinë, mes entuziazmit të kualifikimit dhe presionit të renditjes, Egnatia përgatitet për një tjetër provë të rëndësishme.
VLAMIDIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













