Kundër Partizanit pa qendërsulmuesin Ruzgis, doktorët shpejtojnë shërimin e tij. Trajneri ka gjetur zëvendësuesin
Vora tashmë është mbyllur në “kazermë” pranë shtëpisë së saj, në një javë që do ti kushtohet posaçërisht ndeshjes së parë të kampionatit kundër elitarëve të Superiores, atë kundër Partizanit.

Siç dihet Partizani dhe Vora do të përballen më 24 gusht, në ora 20:00, në stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet, ndërsa ndeshja do të jetë e vlefshme për javën e parë të Superiores. Pritet që ky takim të jetë një ndër sfidat më interesante, pasi Vora do ta bëjë “sefte” në një kampionat të pashkelur ndonjëherë në historinë e saj 36-vjeçare. Në atë të elitës së futbollit shqiptar.
Vorakët do të debutojnë në sezonin e tyre të parë të Superiores me dëshirën e madhe që skuadra e tyre t’i mbijetojë dhe të përfitojë shumë përvojë nga kjo pjesëmarrje e për të kërkuar më shumë në sezonet e tjera. Problematikë këtë javë u bë mungesa e tyre e madhe e golashënuesit më të mirë të kampionatit të Kategorisë së Parë, Manfredas Ruzgis i cili, pësoi një dëmtim pikërisht në miqësoren e fundit parapërgatitore, në ndeshjen kundër Laçit.
Nga stafi mjekësor marrim lajmin se Ruzgis nuk do të qëndrojë gjatë jashtë fushave të futbollit. Rikuperimi i tij do të jetë shumë i shpejtë dhe afërsisht pas 6 javësh ai do të jetë i gatshëm për ndeshje. Kështu dy doktorët, Kejdi Ndoja dhe Glendi Dajsinani, që kanë marrë përsipër rikuperimin e tij për gazetën “Panorama Sport” dhanë versionin e tyre.
“Është një dëmtim, që mund të kalohet shpejt dhe ne jemi në kontakt të plotë me futbollistin e dëmtuar dhe në shërbimin njëqind përqind ndaj tij. Jemi të përkushtuar për të shpejtuar në kohë shërimin e tij. Mundet afro një muaj ose maksimumi një muaj e gjysmë për të qenë në formën e tij të aktivizimit në lojë. Përkthyer në javë ai mund t’i mungojë Vorës rreth 6 javë.
Megjithatë për skuadrën është një humbje e madhe, pasi ka qenë dhe qëndra kryesore e makinerisë së prodhimit të golave. Do të mundohemi që ju ta shihni në fushë sa më shpejt të jetë e mundur. Ai po i nënshtrohet një regjimi strikt të vendosur nga ana jonë. Detaje më të hollësishme mbi dëmtimin e tij, nuk mund të japim për momentin”, kanë deklaruar mjekët e skuadrës së Vorës, Ndoja e Dajsinani.
Gjithsesi trajneri Arian Bellai, po kërkon menjëherë zëvendësin e tij, që me shumë gjasa do të jetë qendërsulmuesi tjetër i vorakëve. Bëhet fjalë për brazilianin 24-vjeçar që erdhi në këtë merkato te Vora, Luis Felipe Da Silva Rodrigues, i cili është provuar në disa ndeshje miqësore, madje ka shënuar edhe dy gola.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













