“Kualifikim i merituar me Tiranën”, Nevil Dede: Portieri ishte hero, ia dolëm me… virozë
Nevil Dede u shfaq i kënaqur për kualifikimin në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Në fund të ndeshjes, ai pranoi për “Panorama Sport” se ekipi tani duhet të hedhë sytë nga kampionati.
KUALIFIKIMI – “Mendoj se ky kualifikim nuk ka qenë fort i thjeshtë, pasi shumë lojtarë kanë qenë me gjendje viroze dhe jo në normalitetin e tyre të shëndetit. Duhej ta fitonim këtë sfidë, që ne të ecnim të qetë. Shpërdoruam shumë. Duhej ta kishim mbyllur brenda 90-minutave. Studiuam lojën deri në minutat 60-65”.
KAMPIONATI – “Gara është shumë e gjatë, gara është shumë e fortë. Tashmë skuadrat kanë objektivat e tyre. Të jemi të vërtetë, kampionati nuk është me diferenca të mëdha. Pavarësisht grupeve të mëdha apo emrit të madh, në fushën e lojës gjërat lëvizin ndryshe. Ekipi që mbroj dhe punoj, nuk është e gjitha meritë e imja.
Kam vazhduar punën e paraardhësit tim, ku ka pasur elemente e prandaj edhe unë e mora përsipër ta vazhdoj më tej. Duhet të vazhdojmë të punojmë, pasi duhet punë shumë. Heroi i kësaj ndeshje për mua ishte portieri, situatat na rrezikuan. Në fund fare gabimet e kundërshtarit na favorizuan”.
MERKATO – “Do të ulemi të bisedojmë me presidentin dhe të shohim se çfarë mund të dakordojmë. Realisht në këto momente që flasim, jemi duke biseduar për vijën sulmuese”.
AUREL MARKU – “Markun e kam njohur që të vogël, po ashtu e kam pasur futbollist edhe te Dinamo, pavarësisht se tani luan një kategori më poshtë. Ai duhet të rritet patjetër, ku kërkohet më shumë siguri dhe besim. Është një nga elementët e rëndësishëm në grup ashtu siç janë edhe elementë të tjerë të grupit, ndoshta është dhe mosha më e vogël”.
OBJEKTIVAT- “Ne do të respektojmë veten, në çdo përballje që kemi si në Kupë edhe në kampionat. Se sa do t’ja dalim s’e di. Ne do të bëjmë punën tonë. Do të mendojmë si një klub që rrit lojtarë, mendon objektivin afatshkurtër, ndërsa afatgjatë janë lojtarët dhe kjo është më kryesorja”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"