Kthim në majën e renditjes botërore, Alkaraz: Në Majami preka fundin, ja si u ringrita
Kanë kaluar plot 729 ditë që nga dita e fundit kur Karlos Alkaraz ishte në krye të renditjes botërore. Më 8 shtator 2025, pas triumfit në US Open, spanjolli u rikthye sërish në majë, duke kaluar Janik Sinerin.

Ky ishte titulli i tij i gjashtë në tetë turnetë e fundit që ka luajtur (përfshirë edhe dy finale në Barcelonë dhe Uimbëlldon) dhe Grand Slam-i i gjashtë në karrierë për Karlosin. Muajt e fundit kanë qenë të mbushur me suksese, aq sa fillimi i zymtë i vitit 2025, që kulmoi me humbjen befasuese ndaj David Gofin në Majami, duket si një epokë tjetër. Por e vërteta është se periudha pranverore, mes fushave të forta në Amerikë dhe atyre me dhé në Europë, ishte tejet e ndërlikuar për Alkarazin. Në një intervistë për gazetën “Marca”, pas turneut të Montecarlos, ai rrëfeu se kishte menduar edhe të ndalonte përkohësisht nga tenisi.
PREKJA E FUNDIT DHE RINGRITJA – “Po, mund të them se në Majami preka fundin”, tregon Alkaraz. “Nuk dija as çfarë të thosha në konferencë për shtyp”. Fjalë të rënda që tregojnë sa e vështirë ishte për të ajo periudhë: “Humbja me Draper në Indian Uells më goditi fort. Pastaj erdhi Majami, dhe ajo ndaj Gofin ishte e padurueshme. Duhej të ndalesha, të ulesha dhe të kuptoja çfarë po ndodhte. Ajo periudhë më ndihmoi shumë. Nga momentet e vështira mësohet më shumë se kudo tjetër. Mësova të përqendrohem te gjërat që me të vërtetë kanë rëndësi. Shpesh i japim rëndësi gjërave që në thelb nuk e meritojnë”. Nuk është rastësi që, për të reflektuar, ai zgjodhi të kalonte kohë me familjen.
MEKSIKA DHE DYSHIMET – Riviera Maja në Meksikë ishte destinacioni që zgjodhi Karlitos për të larguar presionin dhe për të rifituar qetësinë, i shoqëruar nga prindërit dhe vëllai i tij më i vogël. “Më kaluan shumë mendime në kokë”, tha Alkaraz, duke nënkuptuar se një prej tyre ishte edhe ndalja nga sporti. “Një nga gjërat më të mira që bëra, ishte të marr disa ditë pushim, t’i jap vetes kohë të mendoj me kthjelltësi, të shoh gjithçka nga një tjetër perspektivë dhe pastaj të vendos çfarë dua të bëj”. Vendimi që mori rezultoi të ishte i duhuri, për të dhe për botën e tenisit. Sepse, ndonëse ishte pushim, nuk e la pas dore stërvitjen.

PUNA QË BËRI DIFERENCËN – Alkaraz rrëfeu se ndryshe nga çfarë mendojnë disa që e shohin si një talent të lindur, por jo shumë të përkushtuar ndaj stërvitjes, ai zgjodhi të mos qëndronte pasiv as në pushime: “Ishte një periudhë e jashtëzakonshme për mua. Gjatë pushimeve në Meksikë, i kërkova stafit tim të më dërgonin ushtrime fizike dhe një plan stërvitor. Nuk doja të humbisja formën. Edhe pse ishin vetëm pesë ditë, vazhdova të ushtrohesha në palestër, të përgatitesha, që rikthimi të mos ishte shumë i vështirë”, rrëfen 22-vjecari, i cili më pas shton: “Në ditët e fundit, u thosha të gjithëve se doja të kthehesha në shtëpi, edhe pse vëllai im i vogël donte të rrinte edhe një javë tjetër. Por unë ndjeva se kisha nevojë të kthehesha. Atëherë kuptova që pushimi më kishte shërbyer. Kur luaj turnetë me dëshirë, vërtet e shijoj tenisin”. Që nga ajo humbje ndaj Gofin, duket se dëshira dhe kënaqësia në lojën e tij nuk kanë munguar më.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













