Kotobelli paralajmëron Flamurtarin: Tri pikët mbeten në “Niko Dovana”
Në prag të përballjes së rëndësishme ndaj Flamurtarit, kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, flet për “Panorama Sport” mbi gjendjen e skuadrës, objektivat dhe mesazhin për tifozët. Në Durrës pritet një sfidë e luftuar, me Teutën që kërkon të shfrytëzojë faktorin fushë përballë Flamurtarit. Kapiteni Kotobelli e bën të qartë: në shtëpi, gabimet nuk lejohen.

Blerim, si është atmosfera në skuadër në prag të kësaj sfide? Atmosfera është shumë e mirë. Kemi punuar me përkushtim gjatë gjithë javës dhe e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Djemtë janë të karikuar maksimalisht dhe të vetëdijshëm se në shtëpi duhet të japim gjithmonë më të mirën.
Çfarë përfaqëson për ju sfida ndaj Flamurtarit? Është një ndeshje që ka gjithmonë histori dhe rivalitet. Flamurtari është një skuadër me traditë dhe meriton respekt, por ne luajmë në Durrës dhe objektivi ynë është i qartë: tre pikët.
Sa vendimtare mund të jenë këto pikë për ecurinë e sezonit? Çdo ndeshje në këtë fazë të kampionatit ka peshë të madhe. Nuk mund të bëjmë llogari afatgjata nëse nuk marrim maksimumin në ndeshjet tona. Fitorja nesër do të na jepte jo vetëm pikë, por edhe moral për vazhdimësinë.
Si kapiten, çfarë i ke kërkuar skuadrës para kësaj përballjeje? Kam kërkuar përqendrim dhe shpirt gare nga minuta e parë deri në të fundit. Duhet të jemi të bashkuar në çdo moment, si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë mbrojtëse. Kur luajmë si grup, jemi shumë të vështirë për t’u mundur.
Çfarë mesazhi ke për tifozët durrsakë? I ftoj të jenë sa më të shumtë në stadium. Mbështetja e tyre është një shtysë e madhe për ne. Premtojmë se do të luftojmë për çdo top dhe do të bëjmë maksimumin për t’i dhënë kënaqësi qytetit.
A do të ishte kjo një ndeshje për t’u konfirmuar si pretendente? Ne nuk duam të bëjmë deklarata të mëdha, por të flasim në fushë. Nëse vazhdojmë me këtë mentalitet dhe këtë përkushtim, mund të arrijmë objektivat që kemi vendosur.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













