Kote dhe Gudjufi nuk ia dalin, Partizani me ndryshime në 11-shen kundër Dinamos
Partizani ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e sotme kundër Dinamos në “Elbasan Arena”, në orën 17:00.

Të kuqtë kërkojnë të tregojnë forcën ndaj një rivali direkt dhe të blindojnë vendin e katërt, që automatikisht i konfirmon si pjesëmarrës në Kupat e Europës. Trajneri Abilaliaj e ka pasur të plotë ekipin në stërvitje, por disa prej djemve kanë pasur shqetësime fizike. Problemi më i madh duket te Kote, i cili, megjithëse ka bërë maksimumin të jetë gati, dje ka sinjalizuar se nuk është në gjendje për lojë.
Shqetësime ka pasur edhe Gudjufi, që gjithashtu nuk ka arritur t’i tejkalojë problemet fizike. Sakaq, Bytyçi i ka kaluar plotësisht shqetësimet fizike dhe është gati. Edhe pjesa tjetër e ekipit janë të gjithë gati për ta nisur nga minuta e parë. Favori krahasuar me Dinamon te “Demat” është se nuk kanë pasur lojtarë të shpërndarë nëpër përfaqësuese. Kjo i ndihmon të mos kenë lodhje dhe gjatë ditëve të fundit kanë punuar me skuadër të plotë.
RRESHTIMI – Në dy ndeshjet e fundit, Abilaliaj e ka rreshtuar ekipin me klasiken 4-3-3. Edhe kundër Dinamos nuk pritet të ketë ndryshime jo vetëm në skemë. Sa u përket emrave, mungon Kote dhe në vend të tij në mesfushë pritet të luajë Shanaj, që fiton duelin me Ismailin për një vend në 11-she. Këtë repart pritet ta plotësojnë Taipi dhe Mehmeti, tashmë të fiksuar në 11- she.
Mbrojtja nuk pritet të ketë ndryshime dhe do të jenë të njëjtët që luajnë kundër Teutës, me Domgjonin, që fiton edhe një herë duelin me Sembene për formacionin. Ndryshe nga defensiva, në sulm ka ndryshime dhe për herë të parë pritet që Abilaliaj ta nisë me Zekën dhe Kekon në krahë e Bintsukën në qendër. Në stol qëndron sulmuesi Eleke, i cili ka treguar se është mjaft i rrezikshëm.
PANORAMASPORT.AL













