“Kishte më shumë cilësi kur luanim në fusha me baltë”, analiza e Enkel Alikajt: Niveli ka rënë, me të huajt pa limit po digjen të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2026 | 23:31

“Kishte më shumë cilësi kur luanim në fusha me baltë”, analiza e Enkel Alikajt: Niveli ka rënë, me të huajt pa limit po digjen të rinjtë

Enkel Alikaj ka dhënë kontributin e tij në futbollin shqiptar për shumë vite dhe tani është i angazhuar si trajner në Gjermani. Megjithatë, ish-mesfushori nuk e ka humbur interesin për Superioren dhe në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Alikaj ka analizuar ecurinë e skuadrave deri në këtë pikë të kampionatit duke folur për Dinamon, garën për titullin kampion si edhe për skuadrat që luftojnë për mbijetesë, ndërkohë që nuk kursen kritikat.

alikaj

Enkel a e ke ndjekur këtë sezon Superioren? Si të është dukur deri në këtë pikë të kampionatit?
Po, Superioren e ndjek me shumë interes dhe pasion dhe jam disi i surprizuar me ecurinë e deritanishme, pasi dy skuadrat më të forta të vitit të kaluar, Dinamo dhe Egnatia, që për mendimin tim në fillim të sezonit i mendoja si favorite për fitim të kampionatit, ndodhen respektivisht në vendin e 3-të dhe të 4-t, duke pasur jo pak probleme në vazhdimësi rezultatesh dhe probleme të tjera që ndikojnë me rezultatet që ato kanë momentalisht.

Thuhet se niveli i kampionatit ka rënë. A mendon se realisht ka rënë krahasuar me kohën kur ti luaje futboll në Superiore?
Po, niveli i kampionatit është gjithmonë pasqyrë e shikueshmërisë që ka nëpër stadiume. Në kohën e sotme ka më shumë organizim, më shumë profesionalizëm, kushtet janë më optimale, por cilësia është ajo që mungon në krahasim me kohën kur ne luanim. Ne kemi luajtur në fusha me baltë, me terrene të vështira dhe kemi kërkuar të luanim futboll cilësor, ka pasur pak më shumë lirshmëri, pak më shumë improvizim. Sot kërkesat e trajnerëve janë më strikte, luhet futboll shumë taktik, fazës mbrojtëse i jepet shumë rëndësi. Po të shikosh, ke vështirësi të shohësh gola me një rrjedhshmëri logjike, gola të bukur me aksion; shumica e ndeshjeve vendosen me goditje standarde.

Deri në këtë pikë të sezonit, kë sheh më të favorizuar dhe cilësore për titullin kampion?
Po unë bëj gjithmonë tifo për Dinamon, është klubi i zemrës, por realisht kam kënaqësi dhe më pëlqen shumë fakti që shoh Vllazninë në krye të kampionatit. I uroj me zemër për atmosferën që krijohet në Shkodër dhe e meritojnë ato tifozë, sepse futbolli luhet për ta. I shoh si favoritë kryesorë për fitimin e titullit.

Në një intervistë të mëparshme ke kritikuar Dinamon si skuadër që shënon pak për objektivat që ka. Si e ke parë sezonin e saj deri tani?
Po jo vetëm Dinamo, por edhe skuadrat e tjera e kanë të njëjtin problem. Kryeson Vllaznia për shembull me 39 gola në 32 ndeshje të luajtura, këto janë statistika të frikshme që vështirë se i gjen në kampionatet e tjera europiane.

Përveç garës për titull, është rritur edhe gara për mbijetesë. Cilat skuadra i sheh më të rrezikuara?
Po, me thënë të drejtën kjo formulë me 10 skuadra nuk më ka pëlqyer kurrë dhe do më vinte keq si për Flamurtarin ashtu edhe për Tiranën që bien në Kategorinë e Parë, pasi normalisht ka goxha investime, por disa zgjedhje të gabuara lojtarësh ose pse jo edhe drejtuesish mund të të kushtojnë sezonin, sepse nuk ke kohë të mjaftueshme gjatë kampionatit të ndryshosh shumë dhe mendoj që do jetë një luftë shumë e ashpër deri në fund mes këtyre të dyjave së bashku me Bylisin dhe ekipin e Vorës.

Këtë sezon është viti i parë ku skuadrat mund të aktivizonin të huaj pa limit. Sa mendon se ka ndikuar kjo në kampionat dhe e ke parë si diçka pozitive apo negative për nivelin?
Po nuk ka asnjëherë pozitivitet kur kampionatit nuk i jepet rëndësi prodhimi vendas, për këtë shkak lojtarët e moshave 17–18–19 vjeç digjen, për arsye se shumë pak klube shqiptare kanë objektiva afatgjatë. Shumica e klubeve elitare i duan lojtarët gati, nuk i japin kohë të rriten lojtarëve të rinj. I njëjti problem është edhe në Itali. Duhet të ketë një limit të caktuar të lojtarëve të huaj, nuk i shërben askujt, sepse me çfarë kemi parë të paktë janë ata që bëjnë diferencën.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL