Kërkohet kthesa, “Demat” e Partizanit me vetëm një mungesë ndaj Skënderbeut
Partizani është në kulmin e përgatitjeve për ndeshjen e së hënës që do të luajë në Korçë kundër Skënderbeut. Trajneri Abilaliaj ka nisur punën me skuadrën në aspektin fizik dhe taktik. Në ndeshjen e radhës do të rikthehet Mehmeti, një nga pikat e rëndësishme të skuadrës pas largimeve të shumta që ndodhën në merkaton e janarit.

Mesfushori nga Vushtrria u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen kundër Elbasanit dhe e shleu pezullimin në sfidën e së mërkurës kundër Vllaznisë. Nga ana tjetër, vijon të jetë jashtë Altin Bytyçi. Mbrojtësi po rikuperohet nga një tërheqje muskulore dhe pritet të mos jetë i pranishëm në betejën e së hënës në Korçë.
E gjithë pjesa tjetër janë gati dhe Abilaliaj ka liri të plotë zgjedhjeje, çka është një ngushëllim mes gjithë problemeve të tjera që ka skuadra e kuqe. Stafi po pret edhe rikthimin në formë të plotë të sulmuesit Eleke, i cili në sfidën e fundit nuk luajti asnjë minutë. Sot dhe nesër pritet të kristalizohen idetë e stafit në lidhje me formacionin.
PANORAMASPORT.AL













