“Kemi të gjitha shanset që të bëjmë mirë dhe t’ia dalim”, Gega: Po ndërtojmë një Partizan solid, në Estoni për maksimumin
Partizani ka mbyllur dy javët e fazës për gatitore në Ohër. Të kuqtë mësuan kundërshtarin e Ligës së Konferencës gjatë kësaj kohe. Do të jetë pikërisht Kalju e Estonisë, që në muajin maj fitoi Kupën. Skënder Gega, për herë të parë, ka komentuar shortin dhe fazën përgatitore. Trajneri i kryeqytetasve foli për kanalin e klubit, “Partizani Channel”.
Si do ta vlerësonit fazën përgatitore që po zhvilloni në Ohër?
Faza përgatitore 15 ditë këtu në Ohër i kemi pasur kushtet optimale, edhe klima, por edhe fusha me bar. Jam i kënaqur nga dispozicioni dhe përkushtimi i të gjithëve, në mënyrë absolute. Patjetër që secili ka ardhur me situata të ndryshme, jo shumë stërvitje, pa minutazh në të kaluarën. Jemi menduar të bëjmë një program që të gjithë të angazhohen dhe të marrim 100%.
Keni luajtur dy ndeshje miqësore, ndaj Rabotniçkit dhe Dinamo Sitit. A jeni i kënaqur me paraqitjet e skuadrës?
Faza përgatitore është pak ngarkesë. Ndeshjet ndoshta nuk janë maksimumi i performancës sepse duan kohën e vet, edhe prurjet e reja kanë bërë që të na japin një shtysë më tepër dhe një optimizëm. Do mundohem në të këtë kohë të shkurtër t’i bashkojmë të gjithë elementët e mirë që kemi dhe të arrijmë në një ekip solid.
Nome Kalju do të jetë edhe kundërshtari me të cilin do të përballeni në turin e parë të Ligës së Konferencës. Si e konsideroni ekipin estonez?
Kam lexuar që e kemi më mirë koeficientin, kemi qenë te vazo e mirë dhe ata kanë qenë te vazo ndoshta më e dobët. Atë që kam parë dhe kemi parë me stafin ndeshjet sepse janë në kampionat, e vlerësoj shumë si ekip. Është një ekip i ri, por me ritëm, një ekip që luan shumë në sulm. Në këtë aspekt do mundohemi që të shkojmë në Estoni të përgatitur për çdo situatë.
Sa mund t’ju favorizojë fakti që ndeshja e parë do të luhet në Estoni?
Këto ndeshje quhen me dy pjesë. Për mua shumë e rëndësishme finalja. Do të thotë të dy ndeshjet t’i menaxhojmë mirë dhe t’ia dalim në fund fare. Prapë në Estoni, siç thashë është një ekip që luan me entuziazëm. Do të shkojmë me 100%, të marrim maksimumin që në Estoni. Pastaj asgjë nuk mbaron, kthehemi në fushën tonë, me tifozët tonë. Kemi të gjitha shanset që të bëjmë mirë dhe t’ia dalim në objektivin që kemi.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













