“Kemi bërë një nga pjesët e para më të mira tonat”, Moriero pas barazimit me vendin e fundit: Ndikuan edhe mungesat
Trajneri i Flamurtarit, Françesko Moriero u shpreh se pjesa e parë me Tiranën ishte një nga më të mirat që ka bërë skuadra e tij. Italiani tha gjithashtu se mungesat ndikuan për këtë duel.
“Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, patëm 2-3 raste për të bërë gol, deri në minutën e 75′ ekipi e mbajti, pastaj na ranë pak fuqitë. U përpoqa të mbaja disi ekuilibrin, por më vjen keq pasi nuk fituam, por duhet të shohim përpara.
Pjesën e parë e bëmë shumë të mirë, ndeshja kështu është kur luhet, do të ketë raste nga të dyja palët, është normale, kjo është ndeshja. Problemi është që gjatë këtyre ditëve nuk është se kemi punuar ashtu si do të donim pasi disa lojtarë i kemi pasur të dëmtuar si Bolzan, Luço, Trashi po ashtu. Sido që të ishte u mundova të mbaja njëfarë ekuilibri. Pjesa e parë më pëlqeu shumë, por në të dytën ramë shumë fizikisht.
Çështje lojtarësh, Zhoao erdhi dje në darkë dhe nuk mund ta futnim. Futa Jankun si lojtar të 5-të, vendosëm 5-4-1 sepse ata lojtarë pata në dispozicion, kështu e lexova dhe kështu shkoi.
E di çfarë do të thotë të luftosh për mbijetesë, e di që është një luftë, dua të them që sot kemi bërë një nga pjesët e para më të mira, le të themi se në këto momente na kanë munguar disa lojtarë që bëjnë diferencën, mbaroi kjo ndeshja dhe tani shkojmë përpara”, tha Moriero për “RTSH Sport”.
PANORAMASPORT.AL













