KATEGORIA E TRETË/ Partizanin B e ndihmojnë lojtarët e Superiores të pezulluar pas derbit, mund rivalin direkt dhe merr kreun
Partizani B ka siguruar sot një fitore të rëndësishme me shifrat 1-0 përballë Shirokës në transfertë, në ndeshjen e vlefshme për Grupin A të Kategorisë së Tretë.

Skuadra e kuqe paraqitej me përforcime nga Superiorja, pasi në fushën e lojës ishin edhe Andi Janjeva me Gjelbrim Taipin, të cilët nuk mund të aktivizoheshin me skuadrën e parë për shkak të kartonëve që kishin marrë në derbi. Meqë të dy lojtarët nuk ishin pjesë e ndëshkimeve nga Disiplina, rregullorja e pazakontë e Kategorisë së Tretë i lejon që të bëhen pjesë e këtij aktiviteti edhe pse në teori duhej të bënin një javë pushim.
Dhe në fakt për të kuqtë kjo anomali ka rezultuar me fat, pasi pikërisht Taipi ka qenë ai që ka shënuar golin e fitores në minutën e 85-të të takimit, duke i siguruar Partizanit B suksesin 1-0 dhe ngjitjen i vetëm në kreun e renditjes me 17 pikë, 2 më shumë se Eagle dhe 4 më shumë se Shiroka e Bulqiza.
PANORAMASPORT.AL













