Kapiteni i Teutës, Kotobelli: Në Ballsh ruajmë trendin e rezultateve pozitive
Në vigjilje të ndeshjes së sotme në orën 13:30 ndaj Bylisit, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, i cili ka analizuar këtë takim.

Mbrojtësi shprehet se në këto momente nuk duhet parë fare renditja, por t’i marrin ndeshjet një nga një dhe llogaritë të bëhen në javën e fundit.
Blerim, si parqitet gjendja e ekipit para ndeshjes me Bylisin?
Gjendja në skuadër është shumë e mirë, ka entuziazëm dhe jemi të bashkuar të gjithë. Shyqyr zotit, nuk kemi lëndime dhe jemi gati për fazën e fundit në Superiore.
A është gati Teuta për një sukses sot?
Ne sot do të kemi një ndeshje shumë të fortë dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë duel. E dimë se nuk do ta kemi aspak të lehtë, sepse përballë kemi një skuadër që ka bërë një sezon të mirë. Mendoj se ata do ta kenë një motiv të madh, sepse do të luajnë ndaj nesh. Mirëpo ne duhet të shohim punën tonë, të japim maksimumin dhe të dalim fitimtarë nga kjo ndeshje.
Kundërshtari do të jetë i motivuar, sa ju shqetëson?
Siç e thashë edhe më lart, ne do të kemi përballë një ekip si Bylisi, që në fushën e tij është ekip i vështirë. Normal, nuk do të jetë ndeshje e lehtë për ne, pasi Teuta është motiv i madh për çdo rival. Por ne duhet të mendojmë për veten, të japim maksimumin dhe të marrim rezultatin e dëshiruar, që është fitorja.
Sa i rëndësishëm do të ishte një trepikësh në këtë fazë?
Unë e besoj se në rast se e studiojmë kundërshtarin, do bëjmë të pamundurën për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje, por kurrsesi kjo gjë nuk na bën që as ta nënvlerësojmë, por as ta mbivlerësojmë. Duhet të bejmë lojën tonë, të futemi në fushë dhe të marrim një rezultat pozitiv siç është fitorja dhe ta tentojmë ta ruajmë trendin pozitiv të dy javëve të fundit.
Z. QYPI-PANORAMASPORT.AL













