Ka luajtur vetëm 8 ndeshje këtë sezon me Vorën, Prengaj: Nuk ka kohë për kthim koke, shkojmë për fitore në Rrogozhinë
Skuadra e Vorës pas dy humbjeve dhe një barazim me skuadrën kampione të Shqipërisë, është e etur për pikë dhe në revanshin e së dielës kërkon tre pikët.

E gjithë epiqendra e kësaj jave mbetet lufta për mbijetesën e cila në këto momente të vështira vjen nga kjo ndeshje vendimtare, ku të gjithë janë përqendruar në mbarëvajtjen e këtij takimi. Kështu Vora do të kërkojë fitoren në Rrogozhinë ose për një rezultat pozitiv ky synim kryesor mbetet mos dalja pa pikë që andej. Në këtë përballje vorakët nuk do të kenë shërbimet e mesfushorit shkatërrues Kevin Dalipi, i cili mbetet i pezulluar për këtë javë pas ngarkesës me 4 kartonë të verdhë.
PRONONCIMI – Lidhur me këtë takim, sulmuesi vorak, 24-vjeçari nga Mamurrasi, Fatmir Prengaj pritet, që ta nisë takimin si titullar i cili ka folur për “Panorama Sport”. edhe ky futbollist ka vuajtur shumë nga dëmtimi dhe pritet, që të jetë tepër impulsiv për skuadrën pasi forma e tij rezulton e shkëlqyer. Shërbimet e këtij lojtari plot grintë dhe i fortë fizikisht janë tepër të nevojshme, sidomos në këtë takim.
“Fitorja e parë me Egnatian besoj se do të vijë në këtë takim”, janë fjalët e para të këtij futbollisti që ka luajtur vetëm 8 ndeshje këtë sezon. Morëm një barazim me Vllazninë dhe morali, por më shumë oreksi na është shtuar, duke parë dhe shfrytëzuar momentin që po kalon edhe skuadra kampione. Për Vorën nuk ka më kthim koke pas, por çdo gjë varet nga këmbët tona, nga rezultatet tona, sigurisht që dhe dhuratat janë të vlefshme. Mendoj se është një ndeshje mjaft interesant në një betejë që luftohet për pikë nga të dyja skuadrat. Duhet të shtrëngohemi shumë dhe të bëjmë maksimumin, pasi na vlejnë më shumë pikët se sa cilësia e lojës. Ne duhet patjetër të marrim fitore për ti thënë fund zhgënjimit në luftën për mbijetesën. Duhet ti bëjmë gjërat mirë ndaj Egnatias dhe për këtë jam i sigurt se skuadra jonë do ti zbatojë me rigorozitet. Pavarësisht se jemi një skuadër e re në elitën e futbollit shqiptar, por në ekipin tonë ka lojtarë me plot eksperiencë dhe janë të gatshëm të japin gjithçka në të luajtur në sfida të mëdha. Të bashkuar siç kemi reaguar në të tilla raste, do ta kalojmë me sukses edhe këtë sfidë”, ka thënë Fatmir Prengaj.
FORMACIONI – Vora kërkon që të fitojë sa më shumë terren, duke shfrytëzuar më së miri pezullimet e lojtarëve të Egnatias, në ato role që ata mungojnë. Kështu formacioni pritet të ketë surpriza. Pezullimi i Dalipit është një hallkë zinxhiri e këputur për këtë ndeshje megjithatë lidhjet e saj do të shfrytëzohen edhe nga maqedonasi Enis Fazllagiç. Kështu vorakët pritet që në formacionin bazë të shfrytëzojnë ato lojtarë që luajtën kundër Vllaznisë me disa ndryshime të vogla. Pasi janë të gatshëm ndoshta nga minuta e parë edhe Karrica e Prengaj, që të dy vijnë nga dëmtimet. Ndaj edhe trajneri Bellaj do të bëjë lëvizjet e të besuarit të tij që ndodhen në formën optimale dhe japin më shumë në aspektin e mungesave të ekipit kundërshtar.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













