“Jam në kontratë dhe nuk kam çfarë të rinovoj”, trajneri Shkëmbi për të ardhmen e Tiranës: Kjo histori nuk përsëritet vitin tjetër
Bledi Shkëmbi nuk i trembet një largimi të dytë nga Tirana. Pas ndeshjes me Kukësin, korçari i bardhebluve foli gjatë për situatën në skuadër dhe zbuloi se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Pyetjes nëse ka ndonjë shenjë vazhdimësie te Tirana mes tij dhe bardhebluve, nga ana e trajnerit Blendi Shkëmbi, përgjigjja ishte e qartë.

“Unë jam në kontratë dhe nuk kam çfarë të rinovoj. Po vazhdoj rregullisht punë e detyrën e trajnerit. Derisa në maj të mbyllet sezoni e më pas duke parë e duke bërë. Kjo Tiranë rrezikoi shumë këtë vit, duke mbijetuar pas “play out”- it, çfarë pritet në Tiranën e sezonit të ri, gjithmonë nëse qëndron Shkëmbi.
“Është pak shpejt për të thënë, por nuk jemi ulur akoma për të folur rreth kësaj çështje, por jam i bindur që nuk do të jetë e njëjtë kjo situatë që klubi kaloi”, deklaroi korçari. Ai nuk pranoi të komentonte se ku mund të ndërhyhet te Tirana për kampionatin e ardhshëm. “Për afrimet nuk e di, sepse akoma s’jemi ulur për të diskutuar”, e mbylli Bledi Shkëmbi.
KLUBI – Pika kryesore e diskutimeve të këtyre ditëve te Tirana mbetet e ardhmja e Bledi Shkëmbit. Presidenti Refik Halili duhet të vendosë nëse do ta mbajë korçarin apo jo në ekipin bardheblu. Shkëmbi ka edhe një vit kontratë, ndonëse mund të ndodhë që palët të ndajnë rrugët. Mësohet se Halili do ta pleqërojë mirë këtë situatë së bashku me stafin, për të marrë një vendim final. Ky vendim, me shumë mundësi, mund të vijë deri në fund të muajit maj.
Fakt është se Refik Halili brenda dy sezonesh ka ndryshuar 6 herë stolin, duke sjellë pesë emra të rinj, ndërsa akoma nuk ka një vendim final për korçarin e bardhebluve. Edhe për lojtarët është e njëjta histori. Dy janë futbollistët që do të mbyllin marrëveshjen me Tiranën: Admir Bajroviçi dhe Abel Abah. Nëse Bajroviçi ka bërë diçka, Abah nuk ka lënë asnjë gjurmë në Superiore. Sulmues me zero gola dhe në këto kushte duhet të largohet, pasi nuk është i vlefshëm për bardheblutë.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













