“Iu luta Zotit që karriera ime të mos ndërpritej”. Idris i pafat, do që t’i kthejë borxhin Vorës në Superiore
Vora, kampionia e Kategorisë së Parë, kërkon që të jetë sërish një skuadër e fortë dhe e pamposhtur edhe në Superiore. Vorakët kërkojnë të ndërtojnë një grup elitarësh me synimin që të mbijetojë në debutimin historik në Superiore. Vora do t’i përfundojë seancat stërvitore më 31 maj 2025, ku edhe futbollistët do të shpërndahen për pushime.
Më pas nis puna e drejtuesve të klubit për të thirrur lojtarët që do të rinovojnë. Ndërkohë, janë likuiduar të gjitha detyrimet sezonale. Ata që do të bëhen pjesë e skuadrës së elitës, pavarësisht kontratave që kanë me klubin, duke qenë se Vora do të jetë një kategori më lart, duhet të nënshkruajnë kontrata të reja. Një prej tyre në pritje të kontratës së re me Vorën është dhe afrikani Nuradin Idris, që shihet nga klubi si një ndër sulmuesit më teknik të krahut të djathtë.
Idris – 23-vjeçari nigerian ka qenë i pafat gjatë sezonit të fundit te Vora, pasi nuk mundi të përballonte më shumë se dy ndeshje kampionati, që kur u bë pjesë e klubit më 8 korrik 2024. Në moshën 19-vjeçare ai u bë pjesë e skuadrës së mirënjohur bjelloruse, Bate Borisov. Te Vora ai startoi gjatë sezonit më të bukur, 2024-2025, duke luajtur si titullar që në ndeshjen hapëse me Apoloninë, ku vorakët triumfuan 1-0 dhe u aktivizua vetëm 71 minuta. Më pas, luajti në ndeshjen e dytë të kampionatit kundër Kukësit, ku Vora fitoi 2-0. Idris luajti 85 minuta, ku e fundit minutë rezultoi e pafat për të. Aty pësoi një dëmtim serioz, që i ndërpreu vazhdimësinë në kampionat, teksa ju nënshtrua një ndërhyrjeje dhe nga 28 shtatori 2024.
Idris kaloi me sukses operacionin dhe Vora më pas zbuloi kohën e rikuperimit të tij. Ai iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në gjurin e majtë, pas dëmtimit të ligamentit të kryqëzuar “ACL” e më pas, nën kujdesin e mjekëve të skuadrës së Vorës, çdo gjë kaloi me sukses dhe është i gatshëm. Deri më 15 mars ka qëndruar në fazë riaftësimi dhe më pas iu bashkua sërish ekipit në stërvitje, por nuk u aktivizua edhe pas rehabilitimit.
Rikthimi – Afrikani u rikthye në stërvitje pas 6 muajve larg fushave të futbollit. Klubi dhe shokët e skuadrës u gëzuan që sulmuesi nigerian e kaloi me sukses operacionin e vështirë dhe të kushtueshëm. Ata presin me padurim që të rikthehet, ashtu si në startin e kampionatit.
Prononcimi – Për “Panorama Sport”, nigeriani Idris tregon makthin dhe dëshirën për të ardhmen. “I jam lutur Zotit që karriera ime si futbollist të mos ndërpritej këtu. E këtë Zoti e bëri realitet, por rikuperimi i këtij dëmtimi u shpejtua nga klubi i Vorës, që më ndihmoi për ta kaluar me sukses këtë operacion të vështirë. Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time për drejtuesit e klubit, si dhe përkrahjen e mbështetjen e vazhdueshme që më kanë dhënë gjatë kësaj periudhe larg fushave të futbollit. Dëshiroj të jem sërish pjesë e Vorës, pasi kam lënë përgjysmë shumë gjëra të parealizuara nga vetja. Tani jam në pritje të rinovimit të kontratës me klubin e Vorës, duke qenë se tashmë është një ekip elitar”, deklaroi 23- vjeçari nga Nigeria, Nuradin Idris.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













