Ish-sulmuesi Xhambazi: Skënderbeut i duhet mbështetje, e ka si finale ndaj Egnatias
Ndeshja e radhës ndaj Egnatias shihet si një moment kyç për sezonin e Skënderbeut, që kërkon të dalë nga situata e vështirë ku ndodhet.

Përtej gjendjes në renditje, ku mbajnë vendin e fundit, korçarët kanë besim se mund të mposhtin edhe kampionët në fuqi të Superiores. Ky 90- minutësh është tejet vendimtar për skuadrën e trajnerit Ernest Gjoka, ku vetëm trepikëshi bën punë.
XHAMBAZI – Në këtë situatë, Skënderbeu ka nevojë për mbështetje dhe energji pozitive. Ky është mendimi i Dhimitraq Xhambazit, ish-sulmuesit të Skënderbeut, i cili e sheh delikate situatën e klubit korçar, por jo të pashpresë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Xhambazi thekson se lojtarët duhen mbështetur dhe motivuar, sepse rezultatet e javëve të fundit kanë sjellë një frymë jo optimiste. Specialisti korçar gjykon se janë shanset që ekipi të bëjë hapin madhor, duke lënë pas problemet dhe vështirësitë.
“Gjithçka vjen pas një humbjeje me shumë polemika, që e ka vështirësuar më shumë situatën në klub. Pas ndeshjes me Tiranën e shoh si me vend edhe reagimin e klubit, që dyshon për një komplot, apo diçka të ngjashme kundër Skënderbeut. Nisur nga ndeshja e fundit, të gjitha mbeten në fuqi, por nëse marrim në kompleks gjithë këtë periudhë, mund të them se Skënderbeu ka nevojë për më shumë besim dhe mbështetje.
Janë rezultatet jo të mira që njëri pas tjetrit kanë sjellë një situatë të rënduar në klub, duke ulur besimin në ekip dhe pozitivitetin për të dalë nga kjo gjendje. Pas humbjes së fundit me Tiranën, çdo ndeshje e radhës mbetet shumë e rëndësishme për ecurinë e ekipit.
Nga kjo javë e deri në fund të sezonit, për Skënderbeun janë të gjitha finale, nëse kërkon që të mbijetojë në Superiore. Çdo ndeshje duhet luajtur si finale, pasi ky kampionat është i paparashikueshëm. Lufta për mbijetesë është e fortë dhe pritet të jetë akoma më e fortë në vazhdim.
E them me bindje se një rezultat pozitiv ndaj Egnatias do të ishte një frymëmarrje më shumë për ekipin”, theksoi Dhimitraq Xhambazi në lidhje me situatën që po kalon Skënderbeu pas humbjes së fundit në kampionat. Një tjetër hap i gabuar nesër në fushën e vet do ta bënte të pamundur qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar, edhe pse jo matematikisht.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL













