Ish-mesfushori Belisha: Vllazni e fortë, Elbasanin e mposht dy herë. Në sfidat finale shuhet gjithçka… (E PLOTË)
Amarildo Belisha, një nga emrat që ka kontribuar me sukses për më shumë se një dekadë me Vllazninë, ka folur së fundmi për “Panorama Sport”.
Ish-mesfushori ka analizuar në detaje ndeshjen e fundit të kuqebluve kundër Dinamos, ku thekson se kuqeblutë morën maksimumin për mënyrën sesi shkuan ngjarjet. Ndër të tjera ai thotë se Vllaznia duhet të tentojë të dy trofetë këtë sezon, duke pasur parasysh se skuadra i ka mundësitë dhe grupin për ta bërë diçka të tillë.
Belisha, një barazim 0-0 në ndeshjen e fundit kundër Dinamos, i drejtë për Vllazninë?
Mendoj se Vllaznia mori maksimumin nga kjo ndeshje për mënyrën sesi shkoi takimi. 90-minutëshi mund të kishte çdo rezultat brenda, por fati dhe loja e të dy skuadrave e deshi që ndeshja të përfundonte në barazim. Të dyja ekipet kishin shanset e tyre, ku theksoj se Vllaznia i kishte më të pastrat dhe një prej tyre ishte me Mensah, i cili po të ishte më i ftohtë, besoj se do t’i jepte 3 pikët skuadrës.
Ishin të sakta vendimet e gjyqtarit në këtë takim?
Besoj se vendimet e arbitrit ndikuan edhe në ecurinë e ndeshjes për të dyja ekipet. Nuk mendoj se kartoni i dytë i kuq për Vllazninë i dhënë në dëm të Jagos qëndron 100%, pasi këmba e tij është në ajër dhe nuk është një ndërhyrje e qëllimshme për dëmtim. Them se situata i shpëtoi disi nga duart gjyqtarit kryesor në këtë ndeshje.
Ishte i vlefshëm ky rezultat për Vllazninë?
Them se Vllaznia mori atë çfarë i duhej dhe besoj se e kishte qëllim edhe para ndeshjes. Tashmë ruan distancën me dyshen Dinamo-Partizani. E po ashtu mban edhe vendin e dytë në renditje, pasi dihet vlera e këtij pozicioni në fund të kampionatit. Vendi i parë dhe i dytë të lejon të luash për barazim në ndeshjen e parë të “play off” për “Final 4”. Besoj se e rëndësishme është që skuadra mori pikë në një transfertë shumë të fortë.
“Final 4” duke e formalizuar thuajse, duhet të tentojë Vllaznia për më tepër?
“Final 4” tashmë po merr formë dhe po kristalizohet, ku pritet vetëm konfirmimi nga ana e matematikës. Vllaznia i ka shanset e saj për të luajtur deri në fund dhe shpresuar tek titulli kampion. Një ekip që qëndron më lart, besoj se është sërish Egnatia, që ka lojtarë më cilësorë dhe më me eksperiencë. Por megjithatë në ndeshjet e “play off” besoj se gjithçka barazohet për të gjithë dhe kushdo luan shanset e veta në maksimum.
Garanton skuadra për javët e ardhshme për vetë përbërjen që ka?
Organika e Vllaznisë besoj se garanton, sepse po punohet në dy drejtime. Të luftohet fort me lojtarët e eksperiencës për objektivat aktualë të klubit, por edhe të formohet një bazë për të ardhmen. Po punohet shumë me elementin e ri që të rritet dhe të jetë një element thelbësor për sezonet e ardhshme. Dhe pavarësisht sesi mund të përfundojë ky kampionat, Vllaznia të ketë një bazë për sezonin tjetër.
Reparti i prapavijës duket në rritje dhe stabël tashmë…
Mbrojtja besoj se është stabilizuar edhe nga ndërrimi i skemës, sepse Vllaznia aplikonte sistemin me 4-3-3 dhe ndeshjet e fundit dhe tani po luan me 4-2-3-1, pra dy mesfushorë para mbrojtjes. Ata ia bëjnë më të lehtë punën edhe repartit difensiv, por edhe plotësimi i ekipit besoj se ka rritur nivelin. Janë rikthyer disa nga të dëmtuarit e mbrojtjes që janë futbollistë titullarë dhe që patjetër kanë cilësi dhe ndikimin e tyre në balancat e skuadrës.
Mund të tentojë ekipi si për Kupën, edhe kampionatin këtë edicion?
Padyshim që Vllaznia duhet t’i synojë të dy trofetë. I ka mundësitë për ta bërë dhe po ashtu siç e theksova, e ka grupin e futbollistëve për të përballuar dy kompeticionet. Kupa është rruga më e shkurtër për trofe apo për të mbërritur në kompeticionet europiane, ku gjithashtu Vllaznia e ka shndërruar në traditë, duke e fituar trofeun në sezonet e fundit.
Pastaj në kampionat ndeshjet duhet të merren një e nga një dhe ekipi është aty prej disa sezonesh. Shpresoj që ky të jetë sezoni i duhur që skuadra të finalizojë gjithçka me sukses e të rikthejë titullin që mungon prej shumë vitesh tashmë.
Sa do të ndikojnë mungesat e titullarëve në ndeshjen e radhës?
Mungesat nuk besoj se do të ndikojnë. Repaj dhe Pusi për ato minuta që u aktivizuan kundër Dinamos, treguan se kanë vlera. Po ashtu ekipi gjatë gjithë sezonit ka pasur problematika me mungesa futbollistësh, ku ka pasur edhe 10 mungesa njëherësh dhe ia ka dalë të marrë rezultate pozitive. Prandaj them se mungesat nuk mund të jenë justifikim.
Java e 26-të e gjen Vllazninë kundër Elbasanit, si e parashikoni?
Elbasani ka pasur oshilacione gjatë këtij sezoni, ku ka shfaqur lojëra të mira disa herë, por edhe shumë të dobëta në herë të tjera. Nuk më janë dukur një ekip me stabilitet dhe vazhdimësi, pavarësisht se kanë cilësi në skuadër dhe nuk duhen nënvlerësuar. Unë besoj te forca dhe forma e Vllaznisë dhe jam i mendimit që kuqeblutë do t’i kalojnë me sukses të dyja duelet ndaj verdhebluve, si në kampionat këtë fundjavë, ashtu edhe në kupë në mesjavën që vjen.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













