Ish-drejtori, Laluci: Ky Flamurtar nuk jep më shumë, Moriero i varfër në ide
Vangjel Laluci mendon se ky Flamurtar nuk mund të japë më shumë se sa kaq. Për “Panorama Sport”, ish drejtori i klubit kritikon edhe trajnerin Françesko Moriero. Sipas Lalucit, trajneri italian është i varfër në ide dhe kjo reflektohet në çdo ndeshje.

“Në këto ndeshjet e fundit Flamurtari ka dhënë maksimumin. Kaq shkon ekipi. Bëmë gjëra të mira, kërkuan lartë, por vijmë gjithmonë aty ku themi. Sa i shtrëngon pak lartë, të vjen një top aty, por ti nuk duhet ta lësh të gjuash. Është qesharake. Ne pësojmë gol që në fillim. Moriero ka thënë që unë në të gjitha ndeshjet futem për të fituar. Ai nuk ka asnjë lloj ndryshimi në të gjitha ndeshjet dhe mua kjo më çudit.
Por nuk dua të futem tek puna e tij pasi ai ka filozofinë e tij, idetë e tij. Problemi është që unë e shikoj se ai është i varfër në ide. Nuk shikoj ndryshime. Gjatë një loje ti duhet që të bësh disa ndryshime. Nuk e di nëse jam gabim dhe e kam parë keq por unë nuk kam parë ndryshime në lojë dhe zëvendësime, qoftë edhe nga stoli. I njëjti modul, e njëjta metodë, ai vazhdon e vazhdon…Pra është një lëvizje e njëtrajtshme”, shprehet fillimisht Laluci.
MUNGESA E BESIMIT – Vangjel Laluci thotë se trajner Françesko Moriero nuk ka besim tek ky ekip. Sipas tij kjo gjë transmetohet edhe tek futbollistët në fushë. “Nga ato që unë shikoj pas ndeshjeve në intervistat që jep Moriero, unë them se ky trajner nuk beson tek ky ekip. Pavarësisht se ai u thotë me fjalë që ju jeni më të mirët, ata e ndiejnë që ai trajner nuk beson tek ata. Detyrimisht kjo transmetohet dhe kur ata futen në fushë nuk e kanë atë që ne dikur si futbollistë e kishim. Ne futeshim absolut me çdo ekip. Nuk kishim frikë nga asnjë ekip”, thotë ish drejtori.
DËNIMI I FUSHËS – Ish drejtori Vangjel Laluci flet edhe për dënimin e fushës me 8 ndeshje pa tifozë duke e cilësuar të rëndë. Por Laluci shprehet kundër veprimit të dënueshëm të tifozëve. “Akti nuk duhet që të ndodhte dhe është shumë i rëndë. Nuk mund të jetë edhe përgjegjësia kolektive. Duhet që të merren këta persona që kanë bërë këtë sjellje dhe ti përgjigjen. Edhe ata që merren me sigurinë e stadiumit duhet të mbajnë përgjegjësi. Por jo një masë kaq drastike. Këtu humbet kuptimi i një mase.
Masa e caktuar nuk është qëllim në vetvete, por një masë të shërbejë si instrument që këta njerëz të mos hyjnë më në stadium. Nuk është masë që të më heqësh 8 pikë, pasi është njësojë sikur ti më thua që dil nga kategoria. Kjo mbetet për tu parë. Tifozët që u futën kanë bërë gabim shumë të rëndë. Dënohemi edhe ne si qytetarë. Ndërsa presidenti Sinan Idrizi nuk ua ka borxh këtë, me gjithë atë investim që ka bërë. Kush përfiton në fund të fundit? Atëherë për çfarë të dua unë si tifoz ty kur më sjellë këto gjëra? Për çfarë të dua? Të më hedhësh poshtë gjithë investimin, të më çosh ekipin në Kategorinë e Parë”, përfundon Laluci.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













