INTERVISTA/ “Vora dhe Tirana i bënë golat që në autobus”, Mezani nuk ka dyshime: Flamurtari ka ekipin më të paguar në Superiore, lojtarët e çuan në këtë gjendje
Gentjan Mezani parashikon se kampionati i këtij viti do të ndahet në fund, ndaj mendon se Flamurtari i ka shanset për të shpëtuar sezonin. Për “Panorama Sport”, ish trajneri thotë se është e pafalshme që skuadra të mos fitonte me Tiranën dhe Vorën që sipas tij i bën golat që në autobus.

“Janë zhvilluar 31 ndeshje dhe kanë mbetur edhe 5 për tu luajtur. Fati nuk të do në një dhe në tre ndeshje por jo në 31. Ne kemi lënë katër pikë me kundërshtarë direkt. Për mendimin tim nga ana e futbollistëve nuk është dhënë maksimumi i mundshëm për të marrë këto katër pikë.
Të jesh në një situatë të tillë, me kundërshtarë direkt, në fushë tënde dhe të arrish të kesh pikë, do të thotë se ti i ke dhënë një bonus shumë të madh kundërshtarit që ke përballë dhe atij që ke për objektiv në luftë për mbijetesën dhe ke vënë në diskutim qëndrimin tënd në kategori. Në këto dy ndeshje që ne kemi humbur katër pikë sot ne do të kishim katër pikë më shumë dhe kundërshtarët tanë më pak.
Pra ne do të ishim 6 pikë më shumë sot. Ne do të ishim 31 dhe Vora dhe Tirana do të ishin 28 pikë, poshtë nesh. Kjo do të ishte pozitive për ne pasi do të ishim lartë. Do të ishim pak më qetë. Por unë jam i mendimit se ky kampionat do të ndahet javën e fundit, si ishte edhe ai vjet. Ndaj duhet që të besojnë lojtarët deri në fund.
Edhe pse loja ka qenë më e përmirësuar në të dyja ndeshjet, si me Vorën ashtu edhe me Tiranën, por nuk është bërë nga futbollistët maksimumi i mundshëm për të marrë ato fitore. Ne pësojmë gol që në sekondat e para. Tirana dhe Vora i kanë bërë golat që në autobus. Janë ndeshjet që duhet të përgatiteshin më mirë nga ana psikologjike. Por çfarë kanë bërë vetë lojtarët tanë tek kjo pjesë?”, shprehet fillimisht Mezani.
FAJIN E KANË LOJTARËT – Ish-trajneri Gentjan Mezani fajëson futbollistët. Sipas tyre gjithçka ka qenë në dorën e lojtarëve pasi ata kanë ardhur nga skuadra profesioniste. “Kjo skuadër nuk është ndërtuar për këtë nivel. Këta futbollistë nuk janë për këtu, kanë kualitet. Kjo është skuadra me e paguar sot në Superioren tonë. Unë e kam me vetë lojtarët. Pasi nëse jemi në këtë pikë sot, janë lojtarët që e kanë çuar skuadrën në këtë gjendje.
Në këtë pikë të kampionatit nuk ka të bëjë fare as trajneri. Janë ata që duhet ta nxjerrin skuadrën nga kjo gjendje. Unë shikoj në fushën e lojës dy qendrat e Flamurtarit që debatojnë me njëri-tjetrin dhe mbas një minute vjen goli që do të thotë që nuk janë të përqendruar tek ndeshja. Nuk kanë bërë maksimumin disa lojtarë për të marrë maksimumin.
Aktori kryesor është lojtari. Ai të çon dhe ai të nxjerrë nga kjo situatë. Këta lojtarë kanë ardhur ng skuadra profesionistë. Vijnë këtu dhe gjejnë një ambient profesionist si e kanë pasur edhe jashtë dhe nuk japin atë që duhet të japin për këtë skuadër. Ti je profesionist dhe do marrësh përgjegjësitë e tua kundrejt presidentit, qyteti, fanellës. Unë e kam me lojtarët. Ata janë shumë të mirë por nuk kanë dhënë atë që ne kem pritur dhe këtë e tregon vendi ku jemi”, shprehet Mezani.
EGNATIA – Gentjan Mezani i cilëson 5 ndeshje, 5 finale. Ish trajneri deklaron se futbollistët duhet të bëjnë maksimumin në këto ndeshje të mbetura. Sipas Mezani futbollistët duhet të japin maksimumin nga i pari tek i fundit. “Ne e kemi faktuar që dimë të fitojmë edhe jashtë, por edhe kundër Egnatias. Nuk është çudi që të fitojmë prapë. Nëse do të ketë motivim nga lojtarët. Nëse duan ta shpëtojnë këtë skuadër dhe t´ia shpërblejnë qytetit dhe presidentit e tifozëve. Duhet të jepet maksimumi nga i pari tek i fundit nga çdo lojtar që do të futet në lojë. Ne kemi ditur të fitojmë me skuadrat e forta.
Janë 5 ndeshje, 5 finale, 15 pikë. Edhe pse janë pesë ndeshje duhet ti kishin bërë detyrat më përpara por unë mendoj se ne do t’i vlerësojmë në maksimum. Duhet të besojmë deri në fund. Unë kam dy vjet resht, si vjet me Bylisin dhe parvjet me Gjilanin kam shpëtuar në momentet e fundit. Nga vendi fundit dhe i parafundit që kemi qenë kemi kaluar në vend të 6-7. Deri në fund duhet të besojnë. Të gjitha skuadrat i njohin dhe të marrin maksimumin e mundshëm për të marrë këtë objektiv dhe të shikojnë ndeshjet e veta”, përfundon Mezani.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













