Skadon klauzola e Shloterbekut, Dortmundi shmang largimin e mbrojtësit
Pak javë para përfundimit të sezonit të kaluar, kur Niko Shloterbek zgjati kontratën me Borusian e Dortmundit, ky vendim nuk pati efektin e dëshiruar te tifozët e BVB. Arsyeja ishte një klauzolë largimi, e vlefshme për këtë verë. Tashmë është marrë vendimi i parë i rëndësishëm sa i përket një transferimi të mundshëm të mbrojtësit.

Sipas raportimit të “Bild”, klauzola e përmendur ishte e vlefshme vetëm deri më 15 korrik. Si pasojë, ajo ka skaduar dhe një largim i Shloterbekut gjatë kësaj vere tashmë duket pothuajse i pamundur. Klauzola do t’i kishte mundësuar mbrojtësit të largohej nga “Verdhezinjtë” drejt disa klubeve të përzgjedhura për një shumë prej vetëm 50-60 milionë eurosh, një çmim që konsiderohej mjaft i favorshëm për një futbollist të profilit të tij.
Një nga klubet që thuhet se kishte të drejtën ta aktivizonte këtë klauzolë ishte Real Madridi, i cili në një moment kishte shfaqur interes për qendërmbrojtësin gjerman. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse klubi spanjoll u tërhoq nga gara para apo pas dëmtimit të lojtarit. Shloterbeku pësoi një këputje të ligamentit medial të kyçit të këmbës gjatë ndeshjes së Kupës së Botës kundër Bregut të Fildishtë dhe pritet të mungojë rreth tre muaj.
Skadimi i klauzolës në kontratën e tij u jep si lojtarit, ashtu edhe Borusias së Dortmundit, më shumë qartësi për të ardhmen, ndërsa mbrojtësi mund të përqendrohet plotësisht te rehabilitimi.
Objektivi i tij është të jetë gati për pauzën e ndeshjeve të kombëtareve në fund të shtatorit. Pas kësaj periudhe, Shloterbek synon t’i bashkohet sërish stërvitjeve me pjesën tjetër të skuadrës. Futbollisti i kombëtares gjermane po punon intensivisht për rikthimin e tij, gjë që nuk ka kaluar pa u vënë re nga drejtori ekzekutiv i Dortmundit, Lars Riken. “Ai ishte një nga të parët që u rikthye pas pushimeve,” tha i kënaqur Riken.
PANORAMASPORT.AL













