Dy yjet e Barçës po udhëheqin Spanjën drejt fronit të Botës, synojnë edhe çmimin individual
Spanja është vetëm një ndeshje larg kurorëzimit si kampione e botës dhe dy nga protagonistët më të mëdhenj të rrugëtimit të saj janë talentet e Barcelonës, Pau Kubarsi dhe Lamine Jamal.

Dy futbollistët e rinj kanë qenë vendimtarë në të dyja fazat e lojës, ndaj edhe konsiderohen favoritë për të fituar çmimin prestigjioz të “Lojtarit të Ri të Turneut”.
Në repartin defensiv, Pau Kubarsi ka zhvilluar një Botëror të jashtëzakonshëm. Vetëm 19 vjeç, mbrojtësi qendror ka luajtur çdo minutë të shtatë ndeshjeve të Spanjës, duke udhëhequr një prapavijë që ka pësuar vetëm një gol gjatë gjithë turneut. I rritur në akademinë “La Masia”, Kubarsi ka treguar pjekuri të admirueshme, qetësi në ndërtimin e lojës dhe siguri në duelet një kundër një, cilësi që e kanë bërë një nga mbrojtësit më të spikatur të këtij Botërori. Paraqitja e tij kulmoi në gjysmëfinalen ndaj Francës, ku ai ishte ndër më të mirët në fushë, duke neutralizuar sulmuesit francezë dhe duke ndihmuar Spanjën të fitonte 2-0. Përveç forcës në mbrojtje, Kubarsi ka spikatur edhe në organizimin e aksioneve nga prapavija, duke qenë ndër lojtarët me numrin më të madh të pasimeve të sakta në turne.
Në anën tjetër, Lamine Jamal vazhdon të jetë arma më e rrezikshme e Spanjës në fazën sulmuese. Edhe pse ka realizuar vetëm një gol, ndikimi i 18-vjeçarit ka qenë shumë më i madh se statistikat. Shpejtësia, driblimet, fantazia dhe vendimmarrja e tij kanë krijuar vazhdimisht probleme për mbrojtjet kundërshtare. Në gjysmëfinalen ndaj Francës ishte pikërisht Jamal ai që fitoi penalltinë që i hapi rrugën suksesit të “La Rojës”.
Talenti i lindur në akademinë e Barcelonës kishte fituar edhe çmimin “Lojtari i Ri i Turneut” në Kampionatin Europian, ndërsa tani synon ta pasurojë koleksionin edhe me të njëjtin trofe në Kupën e Botës. Interesant është fakti se në 12 ndeshjet e fundit që Jamal ka nisur si titullar me Spanjën në Europian dhe Botëror, kombëtarja iberike ka regjistruar po aq fitore.
Nëse Spanja triumfon në finalen e Botërorit, Kubarsi dhe Jamal do të shkruajnë historinë, duke u bërë pjesë e elitës së futbollistëve që kanë fituar Kupën e Botës në moshë adoleshente. Për më tepër, paraqitjet e tyre të shkëlqyera i bëjnë favoritët kryesorë për çmimin e Lojtarit të Ri të Turneut, duke konfi rmuar se e ardhmja e futbollit spanjoll është tashmë në duar shumë të sigurta.
PANORAMASPORT.AL













