Struga e Shkëmbit mposht Skënderbeun në miqësore, ja si u rreshtuan skuadrat në këtë përballje
Skënderbeu zhvilloi testin e parë miqësor pas dy javësh përgatitje për sezonin e ri, teksa u mposht nga Struga e Bledi Shkëmbit me rezultatin 0 me 1, në duelin e zhvilluar në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”. Ky takim u ndoq nga afro 300 tifozë korçarë.

Ndeshja u luajt në temperatura të larta, ku termometri shënonte 30 gradë, teksa dueli ishte i balancuar me raste të pakta, dhe me një rritëm mesatar, për shkak edhe të kushteve jo të favorshme.
Korçarët e Ahmatajt e nisën ndeshjen me një 3-5-2, ndërkohë që më krahun tjetër Bledi Shkëmbi u kundërpërgjigj me një 4-3-3. Pjesa e parë nuk prodhoi asnjë gjuajtje në kuadrat, ndërkohë që loja u kontrollua më së shumti nga struganët.
Në minutën e 51-të, ishte futbollisti Vosha, i cili përfitoi nga një gabim i portierit Dobiani, duke tundur rrjetën e korçarës.

Pas golit të pësuar, Skënderbeu provoi të reagonte, ndërkohë që rastin më flagrant e regjistroi në minutën e 80-të, me Jeremi, që “flirtoi” me golin, por portieri Vasilev, i tha “jo”, duke larguar rrezikun në këndore. Ky test miqësor iu shërbeu të dy trajnerëve për të parë gjendjen e lojtarëve në këto përgatitje në prag të sezonit të ri.

Vlen të theksohet fakti se Skënderbeu miqësoren e radhës do ta zhvillojë të dielën e 26 korrikut në Pogradec ndaj Partizanit, ndërkohë që Struga e Bledi Shkëmbit do të zbresë në fushë të shtunën e 25 korrikut, për të zhvilluar duelin e javës së parë të kampionatit ndaj Shkëndijës së Haraçinës.
SKËNDERBEU-STRUGA TRIM & LUM 0-1
Shënues: Vosha 51’
SKËNDERBEU: Alia, Vangjeli, Lleshi, Paloka, Shaqe, Zenullari, Braga, Jahiji, Janaqi, Dialo, Bismark. (U aktivizuan: Dobjani, Kacezi, Abubakar, Estrela, Ndiaje, Veliçkovski, Grazhdani, Jeremi, Shkëmbi, Arflot). Trajner: J.Ahmataj
STRUGA TRIM & LUM: Jovceski, Fal, Rama, Zendeli, Shabani, Diako, Bojku, Hamza, Vosha, Radeski, Hamond. (Vasilev, Belica, Roqi, Nuhija, Kaba, Malevski, Ramadani, Alija, Demiri, Sula). Trajner: B.Shkëmbi
GJYQTARË: E.Kotomelo, B.Hamzaj, Sh.Shaholli (Korçë)
KARTONË TË VERDHË: S’ka
ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL













