Impakti i Kërnajës, trajneri që riktheu Partizanin pretendent. Bilanc për titull, ia ka kaluar edhe Egnatias
Në momentin kur Oltijon Kërnaja mori drejtimin e Partizanit në javën e gjashtë të Kategorisë Superiore, të paktë ishin ata që besonin te trajneri 37- vjeçar ndërsa të shumtë ishin skeptikët dhe ata që mendonin se eksperienca e tij në krye të të kuqve do të ishte e shkurtër, për të mos thënë se mendonin se do të kalonte pa u vënë re dhe se do të ishte thjesht një numër në radhë për t’u shkarkuar siç ndodh shpesh me trajnerët në Superiore.

FILLIMET – Kërnaja e mori Partizanin me katër pikë në gjashtë javë, me skuadrën që vinte pas katër humbjesh radhazi, me një derbi ndaj Tiranës të humbur me shifrat 3- 0, si dhe me një golavarazh tre gola të shënuar dhe nëntë të pësuar. Sulmi dhe mbrojtja, ekuilibrat në fushë, gjithçka në radhët e të kuqve ishte e çorganizuar. Në atë periudhë, drejtimi i kryeqytetasve ishte një sfidë e vertetë, që Kërnaja e mori parasysh, madje duke besuar te grupi i lojtarëve, teksa theksoi në shumë raste në konferencat e shtypit apo në deklaratat pas ndeshjeve asokohe se skuadra e tij luante për vendin e katërt, kohë kur ky objektiv cilësohej si utopik dhe deklaratat e tij në opinionin sportiv konsideroheshin si deklarata në ajër dhe ëndërrimtare që nuk kishin lidhje me realitetin..
PIKA E KTHESËS – Megjithatë, me kalimin e javëve, ekipi mori karakteristikat e trajnerit të ri, teksa lojtarët ndryshuan sjellje në fushë duke marrë më shumë përgjegjësi, luftuar më shumë në çdo centimetër të fushës dhe duke ndjekur me përpikmëri teknikun në zbatimin e ideve e tij, derisa në fund u kuptua se Kërnaja nuk ishte një ëndërrimtar.
Shumë lojtarë gjetën veten me Kërnajën, mjafton të kujtojmë shpërthimin e Rouan Hjuman apo Arafat Dumbia, pa harruar zbulimet si Marjus Kola, Diego Kontreras apo aktivizimin e shumë elementëve të rinj ndërsa tekniku përçoi siguri edhe te liderët si Altin Bytyçi, David Atanaskoski, Redon Ismaili apo edhe te Vusal Isgandarli që duket se është zgjuar me kalimin e kohës. Kështu, me shumë besim dhe punë mes stafit teknik e lojtarëve, javë pas jave, Partizani u ringrit dhe sot e sheh veten në vendin e katërt, pjesë e “Final Four”, duke fituar pesë ndeshjet e fundit të kampionatit e lënë pas me tre pikë një kundërshtar si Dinamo që në fillimin e sezonit dukej i pakapshëm për të kuqtë.
STATISTIKAT – Në këto 21 ndeshje me trajnerin Kërnaja në krye, skuadra ka grumbulluar 38 pikë, me një mesatare prej 1.8 pikësh për ndeshje. Për të theksuar edhe më shumë vlerën e kësaj statistike, mjafton të krahasojmë Partizanin me ekipet e tjera të Superiores në 21 ndeshjet e fundit. Ekipi i Kërnajës ka grumbulluar po aq pikë sa Vllaznia kryesuese dhe Elbasani i vendit të dytë (38) ndërsa në krahasim me Egnatian e vendit të tretë, Partizani ka arritur të mbledhë dy pikë më shumë se rrogozhinasit të cilët janë ndalur në kuotën e 36 pikëve në 21 javët e fundit.

Sa i takon golavarazhit po për 21 ndeshjet e Kërnajës në krye të skuadrës, Partizani ka bërë edhe më mirë se Vllaznia. Të kuqtë e kanë gjetur rrugën e rrjetës në 26 raste, ndërsa shkodranët janë ndalur në shifrën e 25 golave. Më mirë se të kuqtë kanë bërë te Elbasani që e kanë gjetur rrugën e rrjetës në 29 raste, teksa nga ana tjetër, Egnatia ka shënuar 27 gola. Në aspektin difensiv, te Partizani kanë pasur një përmirësim sidomos në javët e fundit të kampionatit duke pësuar vetëm dy gola në pesë ndeshjet e fundit. Pastaj, nëse marrin golat e pësuar në 21 ndeshjet që ekipi ka qenë në drejtimin e Kërnajës, atëherë shohim se të kuqtë kanë pësuar 18 gola në total, po aq sa edhe Egnatia për të njëjtën shifër ndeshjesh, 21, ndërsa më mirë në këtë aspekt kanë bërë te Vllaznia me kuqeblutë që kanë pësuar 16 gola në 21 ndeshje ndërsa Elbasani është skuadra që ka bërë më keq në lidhje me këtë statistikë të 21 ndeshjeve të fundit, duke pësuar 19 gola. Të gjitha këto statistika, faktojnë edhe njëherë impaktin e Oltijon Kërnajës te Partizani, trajnerit që gjeti mënyrën dhe ndryshoi “fytyrën” e një sezoni të kompromentuar që në start nga Partizani.
ËNDRRA – Tashmë, “Demat e Kuq”, kanë gjetur vazhdimësinë dhe me pikët që kanë aktualisht në klasifikim, nëse ruajnë të njëjtën vazhdimësi edhe në fazën e katërt, atëherë falë formulës së “Final Four” me përgjysmim të pikëve, mund edhe të tentojnë mrekullinë për t’u shpallur kampionë. Kur besimi dhe motivimi është i lartë, të udhëhequr edhe nga një strateg si Kërnaja, gjithçka mund të ndodhë dhe në fund Partizani mund të ketë aftësinë dhe kualitetin për t’i surprizuar të gjithë dhe për të përmbysur çdo parashikim.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













