Gvozdenoviç: Thyejmë tersin me të fortët, na pret përballje vendimtare me Vllazninë
Elbasani i Ivan Gvozdenoviç është gati për të përballuar Vllazninë në një ndeshje, ku synojnë të japin maksimumin për të dalë me fitore. Në daljen e tij para mediave në prag të këtij dueli, serbi i pankinës verdheblu, sheh një atmosferë pozitive në ekip, përpos rezultateve të javëve të fundit, që nuk kanë qenë ato të pritshmet.
“Ne jemi gati dhe nuk kemi shumë probleme, përveç mungesës së tre lojtarëve për arsye dëmtimi si Lleshi, Hakaj dhe Hasani. Kemi një atmosferë dhe mendim pozitiv për të bërë maksimumin nesër (sot) për të marrë pikët. Kemi edhe stërvitjen e fundit dhe bashkë me stafin do të vendosim për detajet”, u shpreh fillimisht kreu i pankinës elbasanase.
OBJEKTIVI – Gvozdenoviç nuk është i kënaqur me një barazim para ndeshjes, ndaj shprehet i bindur se në Shkodër do të shkojnë për të fituar. Megjithatë, kërkon që gjithçka t’ia lërë fushës së lojës. “Ne jemi Elbasani dhe mendojmë gjithmonë për fitore. Por një ndeshje i ka të tria rezultatet brenda. Në mendojmë vetëm për fitoren, por do të shohim pastaj sesi do të dalim në ndeshje dhe nuk duhet të flasim shumë para saj, sepse është e hapur gjithçka. Me besimin në forcat tona mendoj se do të dalim mirë”, vijoi më tej Ivan Gvozdenoviç.
KUPA – Pas kampionatit, Vllaznia me Elbasanin do të ndeshen në Kupë, aty ku do të ndajnë edhe një biletë për në gjysmëfinale. Gvozdenoviç për momentin është i fokusuar vetëm tek kampionati. “Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme dhe nuk mund të them dot në këto momente se cila është kampionati apo Kupa. Tani mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme (sotme) në kampionat dhe më pas mund të flasim edhe për Kupën”, u shpreh serbi, i cili nuk mendon për Kupën për momentin, pasi kryesore është kalimi i ndeshjes së radhës.
RIVALËT – Po mbyllet faza e tretë dhe mbi Elbasanin vijon të rëndojë mungesa e një fitoreje ndaj katërshes së parë. Megjithatë, Gvozdenoviç pohon se lojërat kanë qenë të mira dhe shpreson që ndaj Vllaznisë ta thyejnë këtë ters. “Ndoshta kjo është një minus për ne. Megjithatë, kemi luajtur mirë me katërshen e parë, përveç rezultatit, ndaj thashë që është një minus për ne. Nesër (sot) kemi një shans për ta thyer edhe këtë statistikë negative dhe kemi besim të plotë për këtë gjë”, theksoi tekniku i Elbasanit në lidhje me këtë aspekt.
GOLAT – Ajo që bie në sy në ndeshjet e fundit është se Elbasani arrin të pësojë gjithnjë gol. Por Gvozdenoviç nuk e sheh këtë si një problem. “Të gjitha skuadrat pësojnë gola, por Elbasani edhe shënon nga ana tjetër. Dy ndeshjet e fundit nuk kemi pësuar gol nga fillimi. Egnatia na shënoi në momentin më të mirë për ne. Me Bylisin kemi reaguar mirë dhe kemi shënuar të parët. Nuk e shoh si një problem këtë gjë. Me rezultatet nuk jemi mirë, por me lojërat që kemi bërë dhe besimin e lojtarëve jemi në rregull. Tani jemi të përqendruar sesi do të bëjmë lojën e mirë, por edhe të marrim pikët në këto ndeshjet që kanë mbetur”, mbylli prononcimin e tij për mediat trajneri i Elbasanit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













