Gvozdenoviç: Elbasani nuk ka presion, vetëm për tri pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2025 | 10:27

Gvozdenoviç: Elbasani nuk ka presion, vetëm për tri pikë

Për Elbasanin, sfida ndaj Vorës pritet të jetë një test i rëndësishëm për të matur forcat reale të ekipit pas pushimit. Një fitore do të kishte vlerë të dyfishtë, do t’i rikthente besimin skuadrës dhe do ta mbante pranë kreut.

gvozdenovicc

Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka folur me tone të qeta e të matura përpara përballjes me Vorën, një ndeshje që pritet të ketë rëndësi të veçantë për verdheblutë, jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin e skuadrës. Në konferencën për shtyp para takimit, tekniku serb vlerësoi periudhën e ndërprerjes së kampionatit si një moment të përshtatshëm për grupin e tij. Sipas tij, pushimi ka shërbyer për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar dhe për të rikthyer freskinë fizike e mendore në skuadër.

“Për ne ishte ndoshta një periudhë e mirë pushimi, sepse dihet që kishim disa lojtarë të dëmtuar që na kanë munguar në ndeshjet e fundit. Tani, pas dy javësh, mund të them se të gjithë do t’i kemi gati dhe pushimi erdhi pikërisht kur duhej. E kemi shfrytëzuar këtë periudhë për t’u përgatitur më mirë. Lojtarët janë stërvitur me seriozitet dhe kam parë përkushtim maksimal”, u shpreh fillimisht Gvozdenoviç.

ANA PSIKOLOGJIKE – Pavarësisht rezultateve jo pozitive dy javët e fundit, tekniku serb është i bindur se skuadra e tij ka treguar karakter dhe qëndrueshmëri. Ai ka kërkuar nga lojtarët që të ruajnë qetësinë, pa u ndikuar nga kritikat apo presioni jashtë fushe. Sipas Gvozdenoviçit, grupi është i bashkuar dhe i motivuar dhe kjo është arma kryesore për t’u përballur me çdo kundërshtar në një kampionat që po rezulton i ekuilibruar dhe i paparashikueshëm. “Jemi të fortë edhe nga ana psikologjike. Nuk mund të mendojmë negativisht që tani, është shumë herët dhe aq më tepër vetëm për një humbje. Kampionati është i gjatë dhe jemi në rregull nga të gjitha anët. Jemi të qetë, objektivat dihen, por ne do të luajmë gjithmonë si në çdo ndeshje dhe jam i bindur se do ta kalojmë këtë moment të vështirë”, tha Gvozdenoviç.

ANTI-VORA – Duke folur për kundërshtarin e radhës, trajneri i Elbasanit vlerësoi punën që po bën Vora, duke theksuar se në këtë kampionat nuk ka më skuadra të lehta. Ai kërkon respekt maksimal për rivalin, por edhe vendosmëri për të marrë rezultatin e plotë, sidomos duke qenë se ndeshja do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. “Çdo javë është e vështirë dhe më duket sikur përsëris të njëjtat gjëra para çdo takimi. Por, realisht kjo është e vërteta. Ne respektojmë çdo kundërshtar, sepse të gjitha skuadrat janë të forta. Do ta vlerësojmë maksimalisht këtë ndeshje dhe do të jemi gati për të dhënë më të mirën. Luajmë në shtëpinë tonë dhe synimi është i qartë, të marrim pikët e plota”, theksoi trajneri.

PRESIONI – Në fund, Gvozdenoviç u ndal edhe tek atmosfera në skuadër dhe presioni që shpesh shoqëron periudhat me ulje forme. Ai siguroi se në kampin verdheblu nuk ka presion, por vetëm dëshirë për përmirësim. Trajneri nuk kërkon as justifikime, as alibi, por kërkon që lojtarët të futen në fushë me qëllimin e vetëm për të fituar dhe për të kënaqur tifozët elbasanas që presin reagimin e ekipit të tyre. “Mendoj vetëm se duhet të luajmë ndeshjen dhe të marrim pikët. Nuk kemi asgjë tjetër, asnjë presion më shumë. Thjesht, si çdo skuadër që kërkon të fitojë në çdo ndeshje që ka përballë. Duam të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të marrim atë që na takon”, përfundoi trajneri i Elbasanit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL