Grushte dhe akuza, Trashi është “viktima” e radhës! Flamurtari e bën rrugë përjashtimin e lojtarëve kryesorë në këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2026 | 23:27

Grushte dhe akuza, Trashi është “viktima” e radhës! Flamurtari e bën rrugë përjashtimin e lojtarëve kryesorë në këtë sezon

Klubi i Flamurtarit në këtë sezon po përjeton një situatë shumë të pazakontë, pasi në vazhdimësi u ka dhënë lamtumirën disa futbollistëve kryesorë, duke i përjashtuar nga ekipi. Lorenc Trashi, i cili mbante edhe shiritin e kapitenit dhe vlerësohej si një nga më të mirët për vlonjatët, ishte i fundit i kësaj liste.

BATHA

I pari që e pësoi ishte Idriz Batha. Mesfushori u përjashtua në muajin dhjetor pas një zënke në stërvitje me futbollistin tjetër të vlonjatëve, Nunjez. Mesfushori, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te kuqezinjtë, u përjashtua menjëherë nga Flamurtari që i prishi kontratën.

“Për shkak të ngjarjes së paprecedentë të ndodhur gjatë seancës stërvitore të datës 17.12.2025, Flamurtari Football Club ndërpret në mënyrë të menjëhershme bashkëpunimin me lojtarin Idriz Batha. Për Klubin tonë fanella, respekti dhe disiplina janë mbi të gjitha!”, shkruhej në njoftimin që u shpërnda për largimin e mesfushorit.

Rasti i dytë u përket pak ditëve më parë, pas masave disiplinore të FSHF për përleshjet në fund të ndeshjes Flamurtari-Elbasani. Luçiano Skuadrone, një nga emrat kryesorë të vlonjatëve në këtë sezon, është dënuar me 6 muaj pezullim dhe paralelisht, edhe është përjashtuar menjëherë nga klubi kuqezl, që e ka cilësuar të patolerueshme një sjellje të tillë.

Sot, ka ardhur rasti i tretë, me Trashin i cili është përjashtuar nga kuqezinjtë pasi ka shkaktuar penallti në minutat shtesë të ndeshjes ndaj Bylisit. Një situatë që duket se po përsëritet në vazhdimësi në klubin vlonjat e që padyshim do të ketë edhe pasoja për palët e përfshira.

PANORAMASPORT.AL