“Goli i shpejtë ishte më e mira”, Bellaj pas suksesit ndaj Egnatias: Luajtëm me hile, ta shfrytëzojmë derisa të ndryshojnë rregullat
Trajneri i Vorës, Arjan Bellaj, ka vlerësuar suksesin e ekipit të tij si të rëndësishëm ndaj një ekipi shumë të fortë si Egnatia.

“U munduam të ishim ne në presing ultraofensiv, që të vraponim më shumë ne se sa ata. Na ndihmoi shumë goli, se sigurisht kur shënon në minutën e katërt futesh me gol nga dhomat e zhveshjes. Për psikologjinë e futbollistit është më e mira që mund të ndodhë. Na ndodhi dhe i falem Zotit lart që na ndihmon edhe ne se nuk e kemi pasur edhe fatin me vete.
Me Egnatian e prisnim të luante 3-5-2 siç luajti me Elbasanin. Por edhe me 4 e kishim përgatitur të dy sistemet, atë lojë si luajtëm me Vllazninë, duke mbyllur korridoret ia arritëm. Pastaj kur u bënë me katër, pasi shënuam, ishte më e thjeshtë se e kishim përgatitur më mirë me Barjamajn, Fernando nuk luante. I kishim dhënë urdhrat Kasharit e Vrapit kur hapte lojën Albaneze. Mos harrojmë se luanim me Egnatian, një ndër ekipet më të mira në Shqipëri, ka 5 trofe, është kampione dhe besoj ndonjëherë luajtëm me hile, se futbolli është lojë hilesh. U munduam ta shfrytëzojmë këtë derisa të ndryshojnë rregullat më 1 qershor. Sinqeriteti është pjesë e jetës time, nuk ka çfarë të them.
Sot është një ndeshje e mbaroi, nuk e mbaj mendjen aty. Çunat janë të qetë se presidenti u thotë gjithmonë se të luajmë, të bëjmë lojën tonë, të bëjmë mirë dhe rezultatet çfarëdo të vijë, luani me Egnatian, edhe të humbnim nuk ishte problem. Sepse duhet të jemi të sinqertë, Egnatia është ndër ekipet më të mira në Shqipëri. Fjala e presidentit para ndeshjes, i çoi më shumë çunat nga ana psikologjike, që të mos kishin stresin e presionin e rezultateve duke ditur gjendjen e vështirë në të cilën jemi në tabelë. Barazuam Bylisin e Tiranën me 35 pikë. Ndeshja e radhës është Elbasani, janë 3 ndeshje akoma, i shohim një nga një që të hedhim atë që kemi bërë gjatë vitit, duke luftuar e parë të gjithë ekipet në sy, shohim ndeshjen me Elbasanin e pastaj ndeshjen e radhës.
Me Dakën e Karricën kishim topin në zotërim e duhej të gjenim kohën në hapësirë. Ne u përpoqëm të bënim duke u munduar në anën individuale, por futbolli është lojë kolektive, prandaj jam i nervozuar. Duhej të shënonim golin e tretë, të ishim më të qetë, ose të shkonte në anësore siç bërtisja të mbanim topin duke vonuar e fituar një anësore, që të na jepte kohë se pamë Egnatian që kishte katër raste për shënim por na shpëtoi edhe portieri dhe për këtë e përgëzoj.
Atë që nuk bëmë mirë ishte padyshim faza e tretë se u vetëkënaqëm të gjithë, nga unë i pari e të gjithë. Do luajmë në fushën tonë ndeshjet më të shumta. Por për ne ishte më mirë kur luajtëm jashtë se kemi marrë më shumë pikë jashtë fushe se në fushën tonë. Kjo ishte gabimi që bëmë, nuk duhej të kënaqeshim me fushën, por të punonim më shumë që të siguronim më shpejt. Morëm barazim me Tiranën e Flamurtarin, nuk ishte mirë. Kemi katër rezultate, duhet të vazhdojmë me kokën poshtë, kjo është ndeshje deri në orën 12 të natës, se pastaj vjen dita tjetër e të mendojmë për ndeshjen e të shtunës”, tha Bellaj për RTSH pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL













