Golat problemi i vetëm në ndeshjet e fundit europiane, bastet kundër Vllaznisë
Vllaznia mori një sukses me shumë vlera në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të Conference League. Shkodranët me përmbysje arritën të mposhtnin skuadrën e Vikingur në shifrat 2-1, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Një fitore që patjetër i jep një avantazh të lehtë ekipit të drejtuar nga Martini, për një kualifikim historik në raundin e tretë të kompeticioneve europiane, diçka të cilën kuqeblutë nuk e kanë realizuar kurrë më parë. Megjithatë, për 9 herë kampionët e vendit tonë asgjë s’është e sigurt dhe kuqeblutë i presin 90 minuta të “zjarrta” në Islandë të enjten. Patjetër që ekipi duhet të jetë në perfeksion, për të mos ripërsëritur gabimet e ndeshjeve të shkuara të zhvilluara në Conference League.
Një pikë ku skuadra ka vuajtur dhe është theksuar edhe më përpara, është pësimi i golave dhe loja në ajër, në të cilën kuqeblutë kanë pasur deficitet e veta. Kështu Vllaznia në 3 ndeshjet e para zyrtare të këtij sezoni, të gjitha të zhvilluara në Conference League, ka pësuar 4 gola, me një mesatare prej 1.3 golash për ndeshje, duke treguar në njëfarë mënyre brishtësinë e shkodranëve në prapavijë. Gjithashtu, edhe në fitoren e fundit ndaj Vikingur, skuadra e Martinit u ndëshkua sërish nga një goditje me kokë, ashtu siç kishte ndodhur në takimet paraardhëse me Daugavpils në turin e parë, fakt që u nënvizua edhe nga vetë Martini në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Ish-fantazisti theksoi se skuadra duhet t’i shmangë medoemos gola të tillë, të cilët janë shumë të evitueshëm. Dhe pikërisht nga këtu do niset edhe vetë Vllaznia për rregullimin e çdo detaji para një dueli që mund të rezultojë me të vërtetë historik për shkodranët. E deri të enjten mendja dhe zemra e të gjithëve në qytet është në Islandë, përkrah ekipit të tyre të shumëdashur.
BASTET – Vllaznia do të përballet me Vikingurin këtë të enjte. Ndeshja në Islandë do të nisë në orën 20:45. Kompanitë e basteve kanë publikuar kuotat e para për këtë ndeshje dhe janë disi të çuditshme. Kështu, fitorja e Vikingurit me koeficientin 1.3 duket sikur bëhet fakt. Në anën tjetër është fitorja e Vllaznisë me koeficientin e lartë 7.5. Barazimi ka kuotën 5. Vllaznia ndërkohë e fitoi 2-1 ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë ia dolën me përmbysje, falë golave të Bajramit dhe Malës.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













