Gjoka dhe Gvozdenoviç optimistë pas ndeshjes. Trajneri i Skënderbeut: Kampionati i egër, duhet të jemi vigjilentë

Gvozdenoviç: Test pozitiv, rezultati nuk ishte prioriteti ynë
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, foli pas ndeshjes, ku vlerësoi paraqitjen e lojtarëve që nuk kanë pasur shumë minuta këtë sezon, duke marrë përgjigjet që kërkonte nga disa prej tyre. ”Ishte një provë e mirë për ne për të aktivizuar lojtarët që nuk kanë pasur shumë minuta, ku u aktivizuan edhe ata që vijnë nga akademia. Testi ishte pozitiv, edhe pse rezultati doli 1 me 1, por nuk ishte fokusi ynë tek rezultati. Sa i përket kampionatit, presim të na rikthehen disa lojtarë në ndeshjen me Dinamon, shpresojnë të rikuperohen në kohë. Gjatë javës do shohim sesi do të jetë gjendja, por në çdo rast ne jemi gati për të dhënë maksimumin në fushë”, u shpreh në prononcimin e tij pas ndeshjes tekniku i verdhebluve.
Gjoka: Kampionati i egër, duhet të jemi vigjilentë deri në fund
Trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka, mbeti i kënaqur nga ajo që treguan djemtë e tij në fushë, ndërsa pohoi se janë gati për ta mbyllir kampionatin ashtu si kanë vijuar deri më tani. ”Jam i kënaqur me atë që prodhuam në fushë. Së pari, na shërbeu edhe për një stërvitje me një intensitet më të lartë ndaj një skuadre si Elbasani. Mendoj që të dyja grupet e lojtarëve dhanë maksimumin e tyre dhe jemi deri – diku të kënaqur për qëllimin që kishim ne për këtë ndeshje miqësore. Sa i përket kampionatit ne kemi tetë muaj që jemi në maksimumin e mundshëm dhe jemi në vend të parë. Sigurisht, kjo garë është shumë e egër, kampionati i Kategorisë së Parë po tregon disa gjëra specifike që ne jemi duhet të jemi gjatë gjithë kohës jo vetëm të gatshëm për të vazhduar në këto finale të mbetura, por duhet të jemi edhe shumë vigjilentë, sepse çdo gjë mund të ndodhë”, mbylli prononcimin e tij tekniku i korçarëve.
PANORAMASPORT.AL













