Gega sjell dy emra të rinj në staf, Kalari mënjanohet nga ekipi i parë i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2025 | 23:53

Gega sjell dy emra të rinj në staf, Kalari mënjanohet nga ekipi i parë i Partizanit

Skënder Gega ka ardhur te Partizani, duke sjellë ndryshime në vendosjen e skuadrës dhe në emra, por jo vetëm kaq. Ai ka vendosur të bëjë disa ndryshime edhe në stafin teknik, që e asiston çdo ditë në stërvitje dhe në ndeshje.

Duro, Gega dhe Abazaj (djathtas) para derbit kundër Tiranës

Duro, Gega dhe Abazaj (djathtas) para derbit kundër Tiranës

Aldo Duro dhe Oriand Abazaj janë dy emrat e rinj që i janë bashkuar Gegës pas emërimit të tij. Të dy vijnë nga familja e kuqe, pasi punojnë edhe në sektorin e akademisë, ku Aldo Duro ka drejtuar ekipin U-17. Ky i fundit ka marrë rolin e zëvendëstrajnerit, ndërsa Abazaj, përveç aspektit taktik, do të ndihmojë edhe në përgatitjen atletike, diçka që e zotëron dhe e praktikon prej kohësh.

Në sy bie fakti se, pas afro katër vitesh, Renaldo Kalari nuk është më pjesë e stafit të Partizanit. Ish-mbrojtësi ka qenë në stafin e Ilir Dajës dhe të gjithë atyre që kanë pasuar tiranasin. Tashmë ai do të mbajë vetëm drejtimin e Partizanit B, që nuk arriti të ngjitej direkt në Kategorinë e Tretë, por do të duhet të luajë “play off” me të renditurat poshtë në Kategorinë e Dytë.

Të kuqtë, pavarësisht se kishin aktivizuar disa lojtarë të ekipit të parë, u mposhtën minimalisht nga Eagles, që siguroi ngjitjen direkte në të Dytën. Partizanit i bëhet rruga më e gjatë dhe shpresohet që objektivi të arrihet. Të kuqtë kërkojnë Katëgorinë e Dytë jo për ambicie, por sepse aty do të ndihmonin më shumë në promovimin apo rritjen e lojtarëve për ekipin e parë.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL