Gega qartëson zgjedhjet para Final Four, disa përfundojnë në stol te Partizani
Pasi iu desh të bënte disa prova me aktivizimin një numri të konsiderueshëm lojtarësh, duket se trajneri Gega i ka “konturuar” zgjedhjet e tij dhe ka krijuar një grup lojtarësh, te të cilët beson më shumë.

Pjesa tjetër nuk kanë arritur ta bindin, por kjo nuk do të thotë se nuk do ta bëjnë në të ardhmen. Gjithsesi, në atë që kemi parë në tri ndeshjet e fundit, duhet thënë se Gega e ka ndërtuar një formacion “tip” dhe një pjesë e lojtarëve që më parë ishin titullarë, tashmë duhet të ulen në stol. Në të djathtë, Janjeva ka luajtur rregullisht, por Gega ka preferuar më së shumti grintën dhe pasionin e Bytyçit, teksa edhe Osmanllari vijon të jetë zgjedhje e dytë a e tretë.
Në anën tjetër, Buxhelaj ka ruajtur vendin e titullarit kundrejt Atanaskoskit, që është aktivizuar vetëm nga stoli. Sakaq, aktivizimi i Sembene si mesfushor difensiv ka nxjerrë jashtë 11-shes Ismailin, por edhe Taipi nuk po aktivizohet rregullisht si titullar.
Në sulm zgjedhjet janë më të pakta, por ajo që dallohet është një aktivizim më i minimizuar i bjellorusit Podstrelov, krahasuar me Veselinoviç apo Abilaliajn. Pjesa tjetër e lojtarëve mbeten të njëjtët dhe mund të konsiderohen edhe baza e këtij Partizani.
PANORAMASPORT.AL













