Gara për formacionin/ Nga Atanaskoski te Janjeva, si ndryshoi hierarkia për 11-shen e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2025 | 22:00

Gara për formacionin/ Nga Atanaskoski te Janjeva, si ndryshoi hierarkia për 11-shen e Partizanit

David Atanaskoski ishte një nga lëvizjet e rëndësishme të bëra gjatë merkatos së janarit nga ana e Partizanit. Mbrojtësi kontribuoi për dy sezone me të kuqtë, duke fituar titullin, më pas Superkupën e më pas duke u renditur si nënkampion.

partizani

Pas kësaj ai u transferua në Rumani te Poli Iasi, ku gjërat nuk shkuan siç priteshin dhe në harkun e gjashtë muajve maqedonasi u kthye te Partizani. Ai pritej të ishte një nga lojtarët kryesorë të të kuqve, duke pasur parasysh eksperiencën, por nuk po ndodh kështu.

Që nga ardhja në janar, maqedonasi ka grumbulluar vetëm 429 minuta në 6 ndeshje, 5 prej të cilave i ka nisur si titullar. Ai ka pasur një dëmtim në dy ndeshjet e para me Gegën në krye, teksa më pas ka qenë në stolin e rezervave dhe nuk është preferuar asnjë minutë. Një tjetër futbollist që ka kaluar në plan të dytë është Shanaj, i cili ka qenë gjithnjë në një duel me Ismailin për vendin në 11-she, me këtë të fundit që është pëlqyer më shumë nga Gega në këtë start të trajnerit.

Një tjetër futbollist që ka humbur terren, është Janjeva. Mbrojtësi ishte gjithnjë titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes me Veselinoviç dhe Abilaliaj, por Gega po preferon më shumë Osmanllarin apo Bytyçin. Megjithatë, edhe Janjeva ka gjetur minuta me Gegën dhe po i jepet mundësia për t’i ndryshuar mendimin stafit.

Nga ana tjetër, vijon e njëjtë situata për Vujnoviç, i cili erdhi në janar për të zëvendësuar emra si Cara, Rrapaj apo Mba, por as Gega nuk ka arritur të gjejë tek ai cilësinë që duhen për të luajtur me fanellën e kuqe.

PANORAMASPORT.AL