“Futboll spektakolar s’ka”, ish-mesfushori Bërsheni: Vllaznia nuk ishte në stadin e finales, nivel i zakonshëm i Superiores (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2025 | 21:42

“Futboll spektakolar s’ka”, ish-mesfushori Bërsheni: Vllaznia nuk ishte në stadin e finales, nivel i zakonshëm i Superiores (E PLOTË)

Në Greqi prej shumë e shumë vitesh, por Vllazninë asnjëherë nuk e largon nga zemra dhe mendja. Lulzim Bërsheni, ish-mesfushori i talentuar i viteve 80-90 të skuadrës shkodrane, në një intervistë për “Panorama Sport” ka analizuar sezonin e kuqebluve.Bersheni GreqiNë veçanti ai u ndal te humbja e finales ndaj Egnatias, por edhe ndryshimet që kanë ndodhur së fundmi. Duke cilësuar uljen në stol të Martinit si zgjedhjen e duhur në klubin shkodran.

Bërsheni, si e analizoni këtë sezon të Vllaznisë?

Me uljet dhe ngritjet e tij, si çdo ekip tjetër i Superiores. Nuk kam parë futboll spektakolar këtë sezon, me aq mundësi sa kam pasur për të ndjekur. Edhe Vllaznia ka qenë në nivelin e zakonshëm të Superiores. Me ndoshta ndonjë marsh më shumë duke qenë se në fund ishte pjesë e “Final 4”. Por ky plus ishte vetëm nga rezultatet dhe jo loja dominuese apo e bukur që zhvilluan. Ishin cinikë dhe morën atë çfarë u duhej në ndeshje të caktuara.

La një zhgënjim të madh ajo finale e humbur ndaj Egnatias…

Patjetër që po. Sepse të gjithë në Shkodër, por edhe përtej kufijve ishim përgatitur për titullin kampion. Nuk dua ta kujtoj atë ndeshje (qesh). Por përtej shakasë, Vllaznia nuk u ngrit asnjë herë në nivelin e një finaleje dhe prandaj pësoi edhe disfatën. Kundërshtari mund të jetë më i përgatitur, por duhet ta vësh në vështirësi ndonjëherë. Fakt që Vllaznia nuk e bëri në asnjë moment.

Ishte kundërshtari më lart apo Vllaznia në një ditë “jo”?

Nuk mendoj se ishte një Egnatia aq e fortë siç ishte para një sezoni. Ishte një ekip që mund të mposhtej, por Vllaznia për mendimin tim e nisi ndeshjen me mentalitetin e gabuar. Duke tentuar vetëm me topat e gjatë dhe një qarkullim topi të avashët. Lëvizje që ishin shumë të parashikueshme dhe nxorrën totalisht jashtë loje manovrën e kuqebluve. Vllaznia nuk e kishte përgatitur siç duhet këtë duel nga ana taktike në opinionin tim.

Si i komentoni lëvizjet e fundit me largimin e trajnerit dhe drejtorit sportiv?

Epo, dikush duhet të mbajë përgjegjësi dhe zakonisht drejtuesit janë ata të cilët shkarkohen të parët. Pasi nuk besoj se në Shkodër janë të kënaqur vetëm me pjesëmarrjen në Conference League, ku çdo sezon kërkohen tituj dhe trofe. Por patjetër një analizë duhet bërë edhe në radhët e futbollistëve, se cilët prej tyre mund të jenë të vlefshëm për Vllazninë në edicionin tjetër.

Çfarë mund të bënte Vllazni diçka ndryshe?

Të ishte më sulmuese, jo aq e kujdesshme. Të vendoste veton në fushën e lojës, me krenarinë dhe karakterin që ka ajo skuadër. Mu duk një Vllazni ndryshe në mentalitet dhe psikologji këtë edicon. Besoj se ky ishte një faktor që e penalizoi gjatë sezonit.

Si e prisni ekipin në edicionin e ri?

Duhet të bëhen analizat dhe nxirren mësimet e duhura se ku ishin gabimet dhe ku duhen përmirësuar. Skuadra ka nevojë për afrime cilësore për të pretenduar për kampion. Me afrimin e 4-5 lojtarëve që bëjnë diferencën dhe grupin e futbollistëve shkodranë, kam besimin se do të shohim një Vllazni ndryshe. Ka gjëra për të përmirësuar dhe këtë stafi drejtues e di mjaft mirë.

Ku duhet përqendruar skuadra për afrimin e futbollistëve në merkato?

Në mbrojtje absolutisht, është reparti më emergjent për përforcime. Sidomos qendra e saj pasi nga krahët ndoshta skuadra nuk ka çaluar. Patjetër edhe ndonjë mesfushor apo sulmues cilësor do të ishin vlera për ekipin. Por fillimisht duhet rregulluar reparti që ka shfaqur më shumë probleme dhe është “akuzuar” shpesh për nivelin që kanë shfaqur në sezonin që përfundoi.

Edi Martini kthehet në Shkodër, zgjedhja e duhur?

Zgjedhja më se e duhur. Një shkodran, ish-futbollist kampion me Vllazninë dhe trajner kampion në Superiore. Kishte ardhur momenti i duhur që një “djalë i shtëpisë” të merrte drejtimin e Vllaznisë. I uroj shumë suksese dhe jam i bindur që do të arrijë të na japë dhe shfaqë një skuadër që do të na kënaqë të gjithëve.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL