Formacioni i play-off / Dembele kthehet në dispozicion të Shkëmbit, Ndreca me pikëpyetje
Lajme të mira dhe të këqija te Tirana. Në një krah, kthehet pas dëmtimit një nga futbollistët më të rëndësishëm të mbrojtjes dhe, në krahun tjetër, sulmuesi i dytë i skuadrës është në pikëpyetje të madhe për të luajtur së bashku me një mesfushor.

Si fillim, Mahamadu Dembele nisi dje stërvitjen me grupin dhe te Tirana garantojnë që ai do të jetë i gatshëm për takimin ndaj Pogradecit. Nga ana tjetër, problemi i skuadrës mbetet dyshja Ndreca e Smaçi, që kanë shqetësime. Nëse Smaçi pritet të jetë i gatshëm për të dielën, shanset që Ndreca të luajë janë shumë të vogla. Sulmuesi i shtohet listës së të dëmtuarve, duke filluar nga Ernesti, Abah, Meta, Prengaj. Ismajli luajti pak minuta me Dinamon dhe mund jetë në fushën e lojës një pjesë loje.
FORMACIONI – Me të paktën 5 titullarë jashtë, Shkëmbi do t’i kthehet Tiranës së tij klasike me 3-5-2, ku në sulm do të jetë Bajroviç, i cili do të luajë sërish nga minuta e parë së bashku me Zharmunin. Në mesfushë dihen emrat, duke filluar nga e djathta në të majtën me Verën, Solerin, Rafaelin, Smaçin ose Markun si dhe Përgjonin. Mbrojtja me treshen Mici, Kola dhe Dembele.

Në fund, portieri Selmani, i cili do të koleksionojë, 35 nga 35 takime në Superiore. Nëse Ndreca ia del, sakrifikohet njëri mes dyshes SmaçiMarku, të cilët aktivizohen në mesin e fushës. Problemi i Tiranës janë edhe rezervat, pasi numrat që ka Shkëmbi në dispozicion janë shumë pak për një sfidë që mund të dojë lëvizje vendimtare për të kthyer lojën.
PANORAMASPORT.AL













