FORMACIONET E MUNDSHME/ Rivalë të përjetshëm, ja si Tirana dhe Partizani mund të luajnë në derbin e kryeqytetit
Partizani dhe Tirana do të përballen sot në orën 20:00. “Panorama Sport” iu sjell situatën aktuale te dy kampet dhe si pritet të zbresin ekipet përkatëse.

Bardheblutë tre sulmues për të mundur Partizanin
Bledi Shkëmbi e ka vendosur: do të luajë me një 3-4- 3, një skuadër e ngjeshur me shumë lojtarë në mesfushë. Një fotokopje e ndeshjeve të fundit në kampionat. Lojtari më i rëndësishëm i Tiranës në mesfushë, Rafael Silva, nuk do të luajë në derbin me Partizanin. Mesfushori plotësoi numrin katër të kartonëve të verdhë me Elbasanin dhe lojën do ta shohë nga tribuna. Për bardheblutë, kjo është humbje e madhe, pasi braziliani është çelësi i lojës së Tiranës, futbollist ky që do të ndihet jo pak në sfidën ndaj të kuqve. Tirana tani e ka “jetë a vdekje” fitoren kësaj të hëne. Në vend të Rafael, janë disa futbollistë të cilët mund të luajnë nga minuta e parë, duke filluar me Smaçin, Markun apo ndonjë tjetër. Gjithsesi, Shkëmbi e ka vendosur 11-shen anti-Partizani. Po kështu, Shkëmbi duhet të sajojë edhe sulmin. Herën e fundit, ka aktivizuar Gjumsin dhe Ndrecën, ndërsa në dispozicion ka Prengajn dhe Haxhiun. Abel Abah është i dëmtuar. Ai nuk ishte fare në sfidën me Elbasanin dhe afrikani nuk do të jetë as në përballjen me Partizanin. Në këto kushte, Shkëmbi duhet të vendosë mes sulmuesve që ka në dispozicion: Ernest, Zharmuni, Ndreca, Haxhiu, Prengaj apo Gjumsi, edhe pse tre të parët janë të avantazhuar.

Vetëm një mungesë e sigurt, gati “kurthi” për rivalët e përjetshëm
Sot në mbrëmje Partizani luan derbin me Tiranën, vetëm katër ditë pasi zhvilloi një ndeshje të lodhshme kundër Egnatias, nga e cila doli me fitore me një gol të Albers Kekos në minutat e fundit nga pika e bardhe e 11 metrave. Në harkun e pak ditëve, trajnerit Gega i është dashur që të rikuperojë skuadrën dhe njëkohësisht ta përgatisë psikologjikisht dhe taktikisht për Tiranën. Në këtë derbi të radhës mungesë e sigurt është Altin Bytyçi, i cili ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë. Sa u përket dëmtimeve, skuadra është në gjendje të mirë, teksa i vetmi me probleme është Atanaskoski. Mbrojtësi maqedonas po kalon një dëmtim muskulor në kofshë dhe kjo e ka ndaluar të jetë prezent në ndeshjet e fundit. David është në fazën e fundit të rikuperimit dhe plani është që sot të jetë i gatshëm. Sfida më e madhe për stafin teknik është që të rikuperojë si duhet lojtarët, më së shumti Eleken dhe Bintsukën, për të cilët edhe vetë trajneri Gega pas Egnatias u shpreh se nuk janë në gjendjen optimale fizike, sidomos nigeriani, i cili te Partizani ka ardhur pas një periudhe prej mbi gjashtë muajsh pa ekip, rrjedhimisht edhe pa ndeshje. Sa i përket formacionit, Gega pritet të bëjë ndryshime, që gjithsesi pritet të jenë minimale, pasi opsionet janë të pakta. Në krahët e mbrojtjes dhe në sulm duket të jenë dilemat më të mëdha.

PANORAMASPORT.AL













