“Final 4” njeh zyrtarisht edhe skuadrën e tretë, është ajo me formën më të dobët në Superiore
Java e 33-të e Superiores ka dekretuar edhe emrin e skuadrës së tretë që ka siguruar praninë në “Final 4” për këtë sezon. Ekipi i Egnatias i është bashkuar Elbasanit dhe Vllaznisë duke pasur garancinë matematikore se mund të vazhdojë në miniturneun për titullin dhe Europën.

Kur mbeten edhe tre javë për t’u luajtur, Egnatia ka 9 pikë diferencë ndaj Dinamo dhe Partizani që e ndjekin me pikë të barabarta. Por fakti se ata luajnë ndaj njëra-tjetrës në javën e fundit, bën që rrogozhinasit të kenë sigurinë se të paktën një prej tyre nuk e arrin.
Duhet theksuar se Egnatia ka siguruar praninë në “Final 4” më shumë për shkak të rezultateve të të tjerëve se sa për ato që ka regjistruar vetë së fundmi. Rrogozhinasit janë skuadra me formën më të dobët në Superiore pasi kanë humbur tre ndeshjet e fundit radhazi me tre skuadra që luftojnë për mbijetesën.
Edhe pse Teuta rezulton se ka humbur 4 të tilla radhazi, durrsakët mund të justifikohen me faktin se dy prej tyre i humbën me Elbasanin e Vllazninë, ekipe të kreut të renditjes.
PANORAMASPORT.AL













