Ferataj “non grata” në Vorë, Tragaj: Ja pse e tërhoqa ekipin…
Te Vora nuk pranohet në asnjë mënyrë humbja e dy pikëve në ndeshjen ndaj Teutës, për të cilën klubi fajëson drejtpërdrejt gjyqtarin kryesor të takimit, Olsid Ferataj. Sipas drejtuesve të klubit, arbitri në fjalë është shpallur “non grata” për qytetin dhe skuadrën debutuese në Superiore, për shkak të vendimeve të përsëritura kundër Vorës.

Klubi vorak i është drejtuar zyrtarisht me shkresë dizenjatorit të arbitrave dhe Komisionit të Etikës pranë FSHF-së, duke e shpallur përfundimisht Feratajn “non grata”. Sipas klubit, nuk është hera e parë që ky arbitër ndikon drejtpërdrejt në rezultat në dëm të Vorës, pasi gjykimet e tij kanë qenë shpesh përcaktuese.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe drejtori sportiv i Vorës, Bazion Tragaj, i cili u ndëshkua me karton të kuq në momentin e dhënies së penalltisë, pak para se skuadra të tërhiqej nga fusha për rreth 10 minuta, në shenjë proteste. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shpjegoi arsyet e këtij vendimi:
“Ne kemi paraqitur një shkresë zyrtare në Komisionin e Etikës së Gjyqtarëve pranë FSHF-së, ku si klub e kemi shpallur këtë arbitër ‘non grata’. Çdo vendim i tij ka qenë i bërë me dashakeqësi dhe, për më tepër, ai nuk tregon nivel profesional. Shpeshherë, me gjykimet e tij, ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjeve tona.

Sa i përket takimit të fundit me Teutën, pamjet janë aty dhe flasin vetë. Fillimisht u dha pozicion jashtë loje, më pas edhe VARi e konfirmoi ofsajdin, ndërsa më pas u akordua penallti pa asnjë sqarim. Në asnjë moment arbitri nuk shkoi të shihte pamjet në monitorin e fushës. Edhe vetë nuk e di çfarë ka dhënë në fund. Një gjë duhet ta dini: Askush nuk na ndalon dot në realizimin e objektivit tonë për të qenë sërish skuadër e Superiores.
Duan apo s’duan disa gjyqtarë, Vora do të mbijetojë. Skuadrën e tërhoqa sepse arbitri e bëri baltë dhe, në shenjë proteste, vendosëm të bojkotojmë për pak minuta për të treguar se ai arbitër nuk vlen për ne”. Në fundjavë rikthehet rivalitet i sezonit të shkuar mes Vorës dhe Flamurtarit, që u ngjitën nga Kategoria e Parë në Superiore. Vorakët i presin vlonjatët në shtëpi dhe përballja ka vlera mbijetese, pasi të dy klubet synojnë që ta sigurojnë sa më parë këtë synim. Gjithsesi, Vora është në pozita më komode dhe janë vlonjatët ata që e kanë imediate fitoren.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













