Federer, trajner i Alkarazit: Vetëm mund ta këshilloj
Figura që ka dominuar ditën e së enjtes në “Australian Open” ka qenë Roxher Federer, i cili është rikthyer në turneun e parë Grand Slam të vitit pesë vjet pas paraqitjes së tij të fundit, kur ende ishte tenist aktiv.

Zvicerani u pyet për mundësinë që në të ardhmen të marrë rolin e trajnerit të Karlos Alkaraz, tani që tenisti spanjoll nuk bashkëpunon më me Huan Karlos Ferreron. Këtë ide e hodhi në tryezë ish-kampioni Mats Uilander. “Do të mund t’i jepja disa këshilla, por aktualisht jam i përqendruar te fëmijët dhe jeta ime personale. Për Karlosin është shumë e rëndësishme të gjejë personin e duhur”, u shpreh fituesi i 20 titujve Grand Slam për mikrofonët e “Eurosport”-it. Në turneun australian, Alkaraz shoqërohet nga Samuel Lopez, i cili ka marrë drejtimin e ekipit teknik të numrit një të botës, si zëvendësues i Huan Karlos Ferreros.
MARRËDHËNIE E MIRË
Alkaraz dhe Federer u njohën për herë të parë në “Uimbëlldon 2019”, kur i riu nga El Palmar ishte “sparring partner” i zviceranit përpara ndeshjes së tij çerekfinale. Më pas, ata janë takuar sërish në dy edicionet e fundit të “Laver Cup”, në vitet 2024 dhe 2025, si edhe në “Masters 1000” të Shangait, ku patën edhe seanca të përbashkëta stërvitore. Gjatë një prej këtyre stërvitjeve në turneun kinez, Federer i foli Alkarazit për periudhën e tij si lojtar profesionist dhe mënyrën se si përballej me famën dhe presionin e nivelit më të lartë.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













