Eliminimi dramatik, Siner: Problemi nuk erdhi nga vapa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2026 | 9:56

Eliminimi dramatik, Siner: Problemi nuk erdhi nga vapa

“Nuk jam ndier shumë mirë në fushë. Mund të ndodhë dhe fatkeqësisht ndodhi në një moment jo të mirë. U përpoqa, por nuk ia dola. Nuk isha në gjendjen më të mirë as para ndeshjes”, deklaroi Janik Siner në konferencën për shtyp pas eliminimit nga “Roland Garros 2026” kundër Juan Manuel Cerundolos.

Screenshot 2026-05-29 095617

Numri një i botës shpjegoi se gjatë ndeshjes ndjeu mungesë energjie: “Fillova të ndihesha keq, pa energji dhe u përpoqa të mbështetesha te shërbimi. Setin e katërt e lashë disi pas dore, duke shpresuar të rikuperoja forcat për setin e pestë.

‘Game’-i i parë ishte shumë i rëndësishëm. Edhe në mëngjes, sapo u zgjova, nuk ndihesha mirë. U përpoqa t’i mbaja pikët sa më të shkurtra dhe në fillim të takimit po godisja shumë mirë”. Siner theksoi se problemet fizike nuk kishin lidhje me temperaturat e larta:

“Ky është sporti. Ishte vapë, por jo diçka ekstreme. Kushtet klimatike ishin të pranueshme. Nuk ndodhi asgjë për shkak të nxehtësisë. Kam luajtur shumë kohët e fundit dhe në turnetë Grand Slam ndodh që ndonjëherë të mos ndihesh në formën më të mirë”. Italiani pranoi se do të kryejë kontrolle mjekësore për të kuptuar më mirë situatën:

“Nuk kisha energji dhe kjo mund të ndodhë. Askush nuk është robot. Duhet të flasim me ekipin dhe të kuptojmë çfarë është më e mira për të bërë. Do të kryejmë disa kontrolle për të kuptuar saktësisht çfarë ndodhi me trupin tim. Besoj se tani do të më bëjë mirë të mos luaj në ndonjë turne për një periudhë”. Siner konfirmoi se rikthimi i tij do të jetë direkt në Uimbëlldon, aty ku do të mbrojë titullin e fituar në vitin 2025:

“Kam fituar tre turne të rëndësishëm në fushat e dheut dhe kam pasur një seri shumë të mirë fitoresh. Parisi ishte objektivi kryesor i sezonit dhe eliminimi nuk ishte ajo që doja. Tani shpresojmë të jem gati për Uimbëlldonin dhe duhet të rikuperoj energjitë”, përfundoi numri një i botës.

PANORAMASPORT.AL