Elbasani sheh poshtë, me Laçin për të “blinduar” mbijetesën
Elbasani kërkon një rezultat pozitiv në Laç, pasi e sheh si mundësinë e vetme për të “blinduar” vendin e pestë, që e mban prej shumë javësh në klasifikim. Kurbinasit janë rivalët më të afërt me katër pikë më pak dhe në rast të një fitoreje të tyre, do t’u afroheshin verdhebluve me vetëm një pikë.

Për këtë arsye, në kampin elbasanas e shohin si vendimtare për të mos rrezikuar këtë pozicion dhe sfida me bardhezinjtë mund të thuhet se ka vlerën e gjashtë pikëve. Në tri ndeshjet e kaluara mes tyre ka një barazi totale, me nga një fitore minimale secila dhe një barazim pikërisht në Laç.
PA HUMBJE – Ndaj pritet sërish një sfidë e ekuilibruar mes tyre edhe kësaj here. Lajmi i mirë për të besuarit e Gvozdenoviç lidhet me faktin se prej gjashtë javësh skuadra nuk mposhtet, që prej disfatës me kampionët e Egnatias. Nga ajo kohë deri më tani, verdheblutë kanë sigluar pesë barazime dhe një fitore.
Ndonëse shifrat mund të mos jenë mbresëlënëse, i rëndësishëm duket fakti se verdheblutë nuk munden lehtë dhe në këtë pikë të kampionatit duket se edhe një pikë mund të bëjë diferencën, meqenëse skuadrat po ngjishen shumë. Me këtë synim do të hyjnë në fushë edhe në ndeshjen me Laçin, që të dalin të paktën me një barazim, që do t’i mbante ekipet në kuotat aktuale.
DËMTIMET – Tekniku serb shpreson gjithashtu edhe te ndonjë rikuperim i mundshëm për shkak të pushimeve pak më të gjata, ku shpresat më të mëdha janë te mesfushori Abas Ibrahim, i cili edhe pse u afrua vonë në skuadër, duket se u kthye në një lojtar të rëndësishëm për ekipin e Elbasanit.
Siç dihet, në pikën kulminante të sezonit, Elbasani u privua nga mungesa të shumta që ndikuan jo pak në rezultatet e ekipit. Më të rëndat ishin ato të sulmuesit Arsen Lleshi dhe mesfushorit Edon Hasani, të cilët prej javësh nuk luajnë, duke lënë një boshllëk të madh në ekip. Të paktën, shpresohet që gjashtë javët e mbetura të mos kenë më futbollistë me probleme fizike.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













